Argjentina zbarkon në Katar, Messi pritet me lule

Lionel Mesi dhe Argjentina kanë zbarkuar në Abu Dabi, aty ku do të përgatiten për Botërorin, por në të njëjtën kohë nesër (të mërkurën) do të luajnë edhe miqësoren e fundit ndaj të zotëve të shtëpisë.

Të gjithë sytë ishin të drejtuar nga Lionel Mesi. Anëtarë të familjes mbretërore ishin ata që pritën në aeroport numrin 10, por ajo që ra në sy ishin sasi të mëdha tufash me lule, nga të cilat Leo u habit.

Gjithsesi, një atmosferë më e bukur u krijua në qendrën stërvitore të zgjedhur nga Argjentina, ku përveç se dreka nisi me një barbekju, ku shefin e skarës e bëri interisti Lautaro Martinez, stërvitja e pasdites u ndoq nga 1000 persona, të cilët thurnin kore për Lionel Mesin.

35-vjeçari u pa shumë i relaksuar dhe i qeshur, madje që të gjithë lojtarët kërkonin që të kishin vëmendjen e tij, sidomos Paulo Dibala në çdo moment të stërvitjes i qëndronte pranë dhe diskutonte shpesh me “Pleshtin” mbi gjëra taktike.

Kujtojmë që Leo e ka nisur me vrull vitin e Botërorit. Forma e tij është ajo e kohëve të arta të Barcelonës, siç tregojnë edhe shifrat: 12 gola dhe 14 asiste në 19 prezenca.

Argjentina do ta nisë rrugëtimin e saj në Kupën e Botës, më 22 nëntor, kundër Arabisë Saudite.