VIDEO-SYRI TV/ Masakër mjedisore në Tërbuf të Divjakës, peshq të ngordhur dalin mbi ujë

Masakër mjedisore është duke ndodhur në kanalin e Tërbufit në Divjakë. Sasi të mëdha peshku të ngordhur kanë dalë në sipërfaqen e ujit. Shkak i ndotjes dyshohet të jetë derdhja e ujërave të zeza nga stallat e bagëtive, por dhe mbetjet vajore që dalin nga fabrikat e vajit të ullirit.

Nga SYRI TV

Këto pamje dëshmojnë një masakër të vërtetë mjedisore në kanalin e madh të Tërbufit në Divjakë. Sasi të mëdha peshqish kanë ngordhur, ndërsa në zonë ajri është ndotur për shkak të erës së rëndë që vjen nga kanali.

Shkaqet e ndotjes ende nuk janë përcaktuar, por dyshimet janë se në kanal derdhen jo vetëm ujëra të zeza të shtëpive, por edhe ato të stallave të bagëtive apo dhe mbetjeve të vajrave të fabrikave që përpunojnë ullirin.

Banorët shprehen se kjo është situatë që përsëritet vazhdimisht në këtë periudhë të vitit, duke sjellë ndotje të jashtëzakonshme në zonë dhe katastrofë ekologjike. Por ndonëse janë ankuar te institucionet përkatëse, deri më sot nuk marrë asnjë masë për të ndaluar këtë masakër mjedisore.

Banorët Petraq Petushi dhe Viktor Capuni folën për Syri TV.

SYRI TV kontaktoi Drejtorinë Rajonale të Mjedisit në Fier, për të pyetur rreth kësaj situate. Jashtë kameras, zyrtarë të këtij institucioni, pretendojnë se janë marrë mostra të ujit të ndotur dhe janë dërguar për analiza në Tiranë. Pas daljes së rezultateve të analizave, pritet të merren dhe masa.

Gazetar: M. Muzaka

Redaktor: J. Hoxhaj

Montazhier: T. Foto