Rashiç: Nuk ka kushte për zgjedhje në veri, situata në çdo moment mund të përshkallëzohet!

Prishtinë - Nenad Rashiç nga Partia Demokratike Progresive gjykon se nuk ka kushte për t'u mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës. Rashiçi, në një deklarim për Syri.net Kosova ka thënë se duhet të merret një vendim politik, me anë të të cilit nuk do të provokohet më shumë kjo situatë e tensionuar.

Sipas tij, gjendja në pjesën veriore është në prag të përshkallëzimit dhe mbajtja e zgjedhjeve vetëm sa do ta thellojë edhe më shumë këtë krizë.

“Nuk ka kushte për t'u mbajtur zgjedhjet, për më tepër mund të përdoren për ngritjen eventuale të tensioneve, konflikteve, incidenteve dhe për përshkallëzim të disa veprimeve të padëshiruara dhe dhunës. Prandaj, edhe dje në takim me Presidenten Osmani, edhe sot po e ritheksoj se duhet të ketë një vendim politik që do t’i shtynte zgjedhjet deri në një periudhë dhe me anë të atij vendimi të zgjidhet kjo situatë”, shprehet Rashiçi për Syri.net Kosova.

I pyetur nëse qytetarët serbë po ndihen të sigurt dhe çfarë është disponimi i tyre në lidhje me këto zgjedhje, Rashiçi tha se “ata janë më shumë të brengosur për sigurinë e tyre dhe se nuk kanë ndonjë dëshirë për të dalë në zgjedhje”.  

Po ashtu, tha se deri më tani nuk kanë marrë as edhe një ftesë për dialog nga Qeveria e Kosovës.

“Nuk kemi pranuar asnjë ftesë për një takim të mundshëm me Kryeministrin Kurti, në mënyrë që të dialogojmë për të parë se si është mundësia të dalim nga kjo situatë e tensionuar. Edhe njëherë po e them, serbët e Kosovës nuk janë të disponuar për zgjedhje”, përfundoi ai.