Pro dhe kundër: 'Kurti duhet ta shtyjë vendimin për targat' - 'Jo, se forcohen strukturat paralele dhe kriminale'

Me 21 nëntor përfundon faza e parë e vendimit për targat. Në fazën e dytë që nis në këtë datë, parashihen gjoba prej 150 euro për ata që lëvizin me targa ilegale në territorin e Republikës së Kosovës. Por skeptik për hyrjen në fuqi të kësaj faze janë analistët politikë.

Analisti politik, Artan Muhaxheri tha se hyrja në fuqi e kësaj faze do ta përshkallëzonte situatën në veri. “Unë nuk pres që Qeveria e Kosovës të vazhdojë me planin e gjobave apo me fazën e gjobave sepse kjo do ta përshkallëzon konfliktin dhe pasojat do të ishin shumë destruktive” tha ai.

E që kjo të mos ndodh Muhaxheri, tha se kryeministri Kurti do të duhej që ta riformulon vendimin duke i marrë parasysh edhe kërkesat e SHBA-se e BE-së.

“Gjëja më normale që mund ta bëjë kryeministrin në këtë moment është që të gjeje ndonjë riformulim kreativ të vendimit i cili do t'i merrte për bazë kërkesat e aleatëve ndërsa në anën tjetër nuk do të konsiderohet si ndonjë ndryshim i madh për Qeverinë, pra ka shumë mundësi që të gjendet një mes sepse me këtë qasja kokëforte në kundërshtim me kërkesat e aleatëve nuk mendoj se do të ishte e mirë për Kosovën që të vazhdohen me fazën e gjobave”, deklaroi ai për Front Online.

Se kryeministri Kurti, duhet ta gjen një zgjidhje para datës 21 nëntor, e thotë edhe analisti Gazmir Raci.

“Në këtë rast konsideroj se do të ishte mirë që për këto rrethana të gjendet një kompromis për të shtyrë disa veprime për planin për targat. Një ndër opsionet është që ka mundësi që periudha e qortimeve të zgjatet deri në prill të 2023 por me kërkesën e vetme që të ndërpritet ndërhyrja për serbët e Kosovës për t’i nxjerrë nga institucionet e këtë kusht kryeministri duhet ta kërkoj nga ndërmjetësuesit”, tha Raci për Front Online.

Por mendim të kundërt, ka analisti Fidan Ukaj. Ai tha se vendimi për targat duhet që të vazhdojë sipas planifikimit.

“Vendimi për implementim e masës për targat tashmë ka filluar dhe mendoj se tashmë kësaj mase Qeveria duhet t’i shkon deri në fund për arsyeje se nëse ndalohet në këtë fazë implementimi i kësaj mase, forcohen strukturat paralele dhe kriminale. Unë mendoj se nuk është diçka e mirë edhe pse kërkesa e ShBA-së është dashur që të merret parasysh dhe që në start kjo masë të shtyhet për 10 muaj”, u shpreh ai për Front Online.

I pyetur se a ka gjasa që faza e dytë e vendimit të anulohet, Ukaj, tha se kjo mund të ndodhë nëse SHBA-ja garanton se pas 10 muajve vendimi do të fillon të implementohet.

“Kjo masë mund të anulohet nëse SHBA-ja është garant që pas 10 muajve do të fillon të implementohet masa përndryshe ne duhet t’i shkojmë deri në fund sepse nëse ne tërhiqemi njëanshëm strukturat kriminale dhe paralele do të merrnin zemër dhe institucionet e Kosovës përballë tyre do të dilnin shumë keq”, tha ai.

Qeveria e Kosovës, ka nisur zbatimin e vendimit për targat me 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.