Presidenti azerbajxhanas sulmon Armeninë nga Shqipëria: Fusnin kafshë në xhamitë tona, rimorëm tokën e të parëve

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, lëshoi sulme ndaj Armenisë, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë. Në konferencën e përbashkët për mediat me Presidentin Bajram Begaj, Aliyev tha se Armenia shpërfill prej dekadash rezolutat ndërkombëtare për territorin e Nagorno-Karabakh, pa u shqetësuar për reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Ai vlerësoi vendin tonë për mbështetjen e integritetit territorial të Azerbajxhanit. “Kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e ndërsjellë. Ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje. Qoftë në fazën e pushtimit e po kështu edhe gjatë fazës së luftës në Nagorno-Karabakh, që si rezultat pati çlirimin e tokave të të parëve tanë dhe vendosjen e të drejtave ndërkombëtare. Ju referuat rezolutave të OKB-së. Më duhet të them që ato janë miratuar prej 27 vitesh, por nuk janë zbatuar. Armenia nuk i ka zbatuar kurrë, në fakt i ka shpërfillur ato dhe komuniteti ndërkombëtar thjesht ka mbyllur sytë ndaj kësaj. Nuk ka pasur asnjë sanksion të vendosur kundër Armenisë pavarësisht kërkesave tona”, tha Aliyev.

“Marrja e 20% të territorit azerbajxhanas ishte një krim, një vendosje e paligjshme në territorin azerbajxhanas. Këto toka ishin bërë të pajeta. Nga 67 xhami, 65 janë shkatërruar. Dhe aty kanë mbajtur kafshë dhe kjo ka lënduar ndjenjat e popullit azerbajxhanas. Ne duhet të vendosnim drejtësi dhe tashmë flamuri azerbajxhanas valëvitet në këto toka dhe jeta po kthehet aty. Natyrisht për njerëzit tanë, vendin tonë, është edhe mbështetja e vendit tuaj për ne. Iu jam vërtet mirënjohës për këtë mbështetje”.

Aliyev tha se kishte diskutuar me Begaj për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e gazit, por edhe turizmit, bujqësisë dhe teknologjisë. Gjithashtu, presidenti azerbajxhanas foli edhe për bashkëpunimin me NATO-n, duke falënderuar mbështetjen e Shqipërisë. Në fund, Aliyev ftoi Begajn për vizitë zyrtare në Azerbajxhan.