‘Kryebashkiaku i Soros, kandidat qelie’/ Këlliçi: Jap fjalën se do auditoj çdo leje ndërtimi nga Veliaj

Deputeti i PD njëherazi dhe kandidat në primaret për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka akuzuar kryebashkiakun Erjon Veliaj se po i faturon banorëve të kryeqytetit 5 miliardë lekë, me justifikimin se do të blejë pemë.

Këlliçi thekson se ‘ditën Veliaj del në çdo ekran duke u ankuar se lufta në Ukrainë paska krijuar krizën ekonomike në Tiranë dhe nuk e ka krijuar ky me Ramën, që kanë 9 vjet në qeverisjen e vendit’.

Sipas Këlliçit, kjo nuk e pengon kryebashkiakun e Sorosit të bëjë natën plane për tendera luksi dhe shpenzime elektorale, sepse ai është një kandidat qelie, jo bashkie. 

Gjithastu Këlliçi i jep fjalën banorëve të Tiranës se do auditoj çdo leje ndërtimi dhe çdo procedurë që Erion Veliaj ka dhënë në krye të Bashkisë Tiranë!

Postimi i plotë:

Ditën Veliaj ju del në çdo ekran duke u ankuar se lufta në Ukrainë paska krijuar krizën ekonomike në Tiranë.

Padyshim që krizën ekonomike nuk e ka krijuar ky me Ramën, që kanë 9 vjet në qeverisjen e vendit. Fajet i ka opozita, që bashkë me Rusinë kanë pushtuar Ukrainën.

Por kjo nuk e pengon kryebashkiakun e Sorosit të bëjë natën plane për tendera luksi dhe shpenzime elektorale, sepse ai është një kandidat qelie, jo bashkie.

Unë i jap fjalën banorëve të Tiranës se do auditoj çdo leje ndërtimi dhe çdo procedurë që Erion Veliaj ka dhënë në krye të Bashkisë Tiranë!

Do t'i numëroj çdo rikonstruksion fasade që ai ka bërë për të mashtruar qytetarët, me vlera disa herë më shtrenjtë se puna reale e kryer.

Do t'i bëj evidencën e çdo liste punimesh të kryer për çdo metër asfalt elektoral të hedhur.

Do t'i bëj evidencën e çdo paraje të dhënë OJF-ve të tij dhe atyre të kontrolluara prej tij, duke i maskuar pas aktiviteteve kulturore.

Së fundmi, Erion Veliaj po i faturon banorëve të Tiranës 5 miliardë lekë, me justifikimin se do të blejë pemë. Ndërkohë qytetarët e Tiranës shohin vetëm pallate të reja mes lagjesh, që zënë ato pak hapësira të mbetura, dhe thithin ajrin e ndotur me smog. Kam për t'ia numëruar këto pemë një e nga një!