Orgest Xhelili lihet në burg/ Avokatët: U dhunua, kryebashkiaku Fredi Kokoneshi sillet si bajraktar

Orgest Xhelili, i akuzuar për plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, është lënë në qeli.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhelilin, personin i cili tre ditë më parë plagosi me thikë kryebashkiakun e Divjakës Fredi Kokoneshi dhe shoferin e tij Gazmir Bullari.

Ndërkohë, avokatët e Xhelilit thanë se ai është dhunuar nga Policia Bashkiake.

“Jemi para veprimeve arbitrare të Policisë Bashkiake, e kanë marrë forcërisht, e kanë çuar te vendi, e kanë çuar në makinë, kanë dashtë me e përdhunu, të gjitha me dëshirën e kërkesën e kryebashkiakut,” tha avokati Ndue Pjetra.

“Kryebashkiaku ka kryer veprime arbitrare në të gjithë zonën e Divjakës, u ka marrë pronat pa ligj e gjë. Njerëzit kanë qenë të irrituar aty. Kryebashkiaku po hetohet për veprime arbitrare në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Lushnjes”.

Kurse avokati Klodian Reçi tha se kryebashkiaku sillet si bajraktar.

“Nuk ka motive që lidhen me detyrën si kryebashkiak. Këtu bëhet fjalë për inate që dukshëm në qytetin e Divjakës qarkullojnë në mënyrë të përditshme. Ai është goditur nga punonjësit e Policisë Bashkiake se kanë dashur ta shoqërojnë forcërisht pranë kryetarit. Ky është një problem që ka të bëjë me mënyrën se si funksionarët publikë sillen me qytetarët. Dukshëm kemi të bëjmë me fenomenin e bajraktarëve”.