Turqia e çon në 50 numrin e të arrestuarëve për bombat vdekjeprurëse

Stamboll - Policia turke ka kapur të dyshuar të tjerë në lidhje me sulmin me bombë në një rrugë këmbësore të zhurmshme në Stamboll që vrau gjashtë persona dhe plagosi disa dhjetëra të tjerë, duke e çuar numrin e personave në paraburgim në 50, tha të martën ministri turk i drejtësisë.

Shpërthimi i së dielës kishte në shënjestër rrugën Istiklal - një rrugë e njohur e mbushur me dyqane dhe restorante - dhe që riktheu në kujtesë,  bombat në qytetet turke midis viteve 2015 dhe 2017 që vranë ndjenjën e sigurisë së qytetarëve.

Autoritetet turke fajësuan për sulmin, Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK, si dhe grupet kurdo-siriane të lidhura me të. Megjithatë, grupet militante kurde kanë mohuar se kanë pasur lidhje me bombën.

Policia turke kreu kontrolle në Stamboll disa orë pas shpërthimit dhe arrestoi 47 persona, duke përfshirë një grua siriane e cila dyshohet se e la një bombë të mbushur me TNT në Istiklal. Policia tha se gruaja, e identifikuar si Ahlam Albashir, kishte ardhur në Turqi ilegalisht nga Siria dhe e kishte pranuar se e kishte kryer sulmin.

Të martën, Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha se numri i të dyshuarve në paraburgim arriti në 50, por nuk dha detaje.

"Turqia vazhdon me vendosmëri luftën e saj kundër terrorizmit," citoi ministrin të thoshte, agjencia e pavarur e lajmeve T24. Asnjë organizatë terroriste nuk do të ketë sukses në asnjë lloj komploti kundër Turqisë."

Rreth 80 persona u shtruan në spital pas sulmit, nga të cilët të paktën 57 kanë dalë. Gjashtë nga të plagosurit mbetën nën kujdes intensiv dhe dy prej tyre në gjendje të rëndë, thanë zyrtarët.