Mega-afera e Portit të Durrësit/ Rama flet si pronar: Do të rritet vlera e pronave, akuzat me serbë janë...

KryeministriEdi  Rama doli në një konferencë për shtyp këtë të martë nga ku foli si pronari i ri i investimit në Portin e Durrësit. Ai tha se do rritet vlera e pronave, kurse theksoi se akuzat se ky është investim serb, janë tërbim.

“Nuk besoj se është e vështirë të bëhet dallimi mes komentit të një fakti dhe të akuzave pa fakte. Që PD është financuar me para ruse gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar PS-në, kjo nuk është një akuzë, por një fakt i dokumentuar për fat të keq. Një fakt i zbuluar nga media në SHBA, i përqeshur gjerësisht nga shumëkush këtu dhe i konfirmuar nga raporti i shërbimit sekret amerikan, CIA.

Ndërkohë, akuzat me serbë apo nuk e di çfarë tjetër, janë prodhime të një tërbimi të madh, i një tërbimi non grata dhe spiunësh, për investimin më të madh të huaj në rajon, i cili do të jetë një investim krenari kombëtare, do të transformojë Durrësin, do të rrisë vlerën e pasurive të patundshme në të gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë vlerën dhe çmimet e hotelerisë në të gjithë zonën e Durrësit, do të rrisë punësimin në Durrës e Tiranë. Të ngresh akuza në hava është një fatkeqësi e madhe. Por ne e kemi bërë zgjedhjen, jemi në anën e dinjitetit dhe të krenarisë kombëtare”, tha Rama.

Rama shtoi më tej se Partia Demokratike nuk është e vetmja parti që është financuar nga rusët.

“Fjalët e mia nuk dalin kot. Unë nuk hedh fall, nuk flas pa fakte”, tha Rama.