Macron: Franca dhe Kina, të vendosura për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Bashkëpunimi i ngushtë midis Francës dhe Kinës është çelësi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha presidenti francez Emmanuel Macron, shkruan skynews.

Lideri francez dhe presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilluan një takim në margjinat e samitit të liderëve të G20 në Bali.

Gjatë bisedimeve, të dy udhëheqësit riafirmuan qëndrimin e tyre të vendosur për parandalimin e përdorimit të armëve bërthamore në luftë dhe diskutuan financimin e shteteve më të cenueshme.

“Përfundimi i përshkallëzimit dhe përballja me pasojat e luftës në Ukrainë, duke mbështetur ekonomitë më të cenueshme dhe duke vepruar për të mbrojtur biodiversitetin: Franca dhe Kina janë të vendosura”, tha udhëheqësi francez.

Samiti vjetor vjen pasi vendet e G20 janë thellësisht të ndara për veprimet e Rusisë në Ukrainë, të cilat kanë çuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë në mbarë botën.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në samit në një fjalim virtual se tani ishte koha për të ndaluar luftën e Rusisë.