Kryeministri kamboxhian largohet nga samiti i G-20, pasi del me COVID

Nusa Dua, Indonezi - Kryeministri kamboxhian Hun Sen tha të martën se ai ka dalë me COVID-19 ndaj edhe do të largohet nga takimet e Grupit 20 në Bali, njoftim vetëm disa ditë pasi priti Presidentin Joe Biden dhe liderë të tjerë botërorë për një samit në kryeqytetin e vendit të tij.

Diagnoza u zbulua pasi krerët e ekonomive kryesore të G-20 dhe vendeve të tjera filluan një takim dy-ditor në ishullin turistik indonezian.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, udhëheqësi kamboxhian tha se ai doli i infektuar me koronavirus mbrëmjen e të hënës dhe një mjek indonezian e konfirmoi diagnozën të martën në mëngjes. Ai anuloi takimet e tij në G-20 si dhe forumin e ardhshëm ekonomik APEC në Bangkok për t'u kthyer në atdhe.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden rezultoi i painfektuar të martën në mëngjes dhe nuk konsiderohet një kontakt i ngushtë, siç përcaktohet nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Të dy udhëheqësit kishin kaluar një kohë të konsiderueshme së bashku ditën e shtunë dhe kishin qënë në një takim të përbashkët, por nuk ishin ulur pranë deri të dielën.