Aksioni në Shqipëri/ Mediat gjermane: Mashtrimi me kriptomonedhat shkon në mbi 2.4 miliardë euro...

Mediat gjermane po i bëjnë jehonë një operacioni të organizuar nga policia spanjolle në bashkëpunim me autoritetet gjermane për të goditur një rrjete të mashtrimit me kriptomonedhat. Rrjeti kishte shtrirje edhe në Shqipëri.

Pamjet e policisë spanjolle, teksa ndërhynte vetë në Shqipëri për të organizuar operacionin, shkaktuan jo pak debat në median sociale

Ndërkohë, mediat gjermane shkruajnë se ky rrjet që vepronte përmes të ashtuquajturave call center, kishte arritur të vidhte rreth 2.4 miliardë euro.

Vetëm në Spanjë janë më shumë se 17 mijë persona të mashtruar. Operacioni në Shqipëri çoi në pranga dy drejtues të rrjetit, ndërsa nën hetim janë 16 të tjerë.

Agjencia gjermane DPA shkruan se hetimi nisi në vitin 2018, kur një e moshuar nga Katalonja e Spanjës u mashtrua, duke i marrë shumën prej 800 mijë eurosh. Telefonuesit merrnin nga call-centera në Shqipëri dhe vende të tjera dhe u premtonin viktimave fitime të mëdha përmes kriptomonedhave. 

Banda fitonte plot 400 euro në minutë. Ata ia dilnin edhe të instalonin softuere në kompjuterat e viktimave.