Shkojnë si mysafirë, dy persona grabisin miliona lekë në një banesë. Çfarë u gjeti policia

Dy të rinj janë arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet nën kërcënimin e një mjeti prerës të llojit thikë vodhën një shumë parash në një banese në Lezhë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 13 nëntorit, ndërsa në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Altin Margjeka, 21 vjeç dhe Elvis K., 17 vjeç, që të dy banues në fshatin Zejmen. Këta persona nën kërcënimin e një mjeti prerë (thikë), kanë vjedhur në banesën e shtetasit M. Ll., shumën prej 280 000 lekë të rinj.

Mysafirët grabitës

Burime nga Policia e Lezhës bënë me dije se njëri prej të arrestuarve kishte lidhje miqësore me të zotin e shtëpisë dhe kishin shkuar si mysafirë aty, por pasi kanë qëndruar disa minuta brenda kanë nxjerr thikën që mbanin me vete dhe e kanë kërcënuar, duke i marrë shumen e parave. Menjëherë pas ngjarjes, shtetasi M.Ll ka denoncuar në Polici rastin dhe blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke bërë identifikimin e dy të rinjve e më pas prangosjen e tyre.

Operacioni policor i koduar “Benefit” u finalizua paraditen e së hënës dhe krahas arrestimit të dy personave, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar Altin Margjeka shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 50.000 lekë të rinj, një maskë, një orë dhe sende me vlerë që dyshohet se janë përfituar nga shuma e parave të vjedhura në banesën e shtetasit M. Ll. Materialet në lidhje me rastin u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime mëtejshme, ku pritet të ngrihen akuzat ndaj dy të rinjve të arrestuar dhe pas 48 orësh do të dalin në Gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.