'Tani është koha ta detyrojmë Rusinë për paqe', i thotë Zelenskyy, liderëve të G20

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka kërkuar liderëve botërorë të mbështesin një plan për t'i dhënë fund luftës në vendin e tij, duke thënë se tani ishte koha për të nxitur përpjekjet për paqe pas disfatës së Rusisë në qytetin jugor të Khersonit.

Ai foli me video me liderët e vendeve të G20-ës, të cilët janë mbledhur për një samit në ishullin indonezian të Balit, i mbetur në hije nga lufta në Ukrainë dhe nga shqetësimet për inflacionin global, sigurinë e ushqimit dhe energjisë.

Zelenskyy tha se Ukraina nuk do të lejojë që forcat ruse të rigrupohen pas tërheqjes së tyre nga Kherson, duke shtuar se do të ketë më shumë luftime derisa Ukraina të rimarrë kontrollin e të gjithë territorit të saj të pushtuar.

"Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërruese ruse duhet dhe mund të ndalet," tha ai, sipas një kopjeje të fjalimit të tij të rishikuar nga Reuters.

Ai tha se Kievi nuk do të rrezikonte sovranitetin, territorin apo pavarësinë e Ukrainës dhe gjithashtu bëri thirrje që të gjithë të burgosurit ukrainas të lirohen.

Forcat ukrainase kanë bërë përparime në javët e fundit kundër trupave ruse në lindje dhe jug, javën e kaluar duke rimarrë qytetin e Khersonit, i vetmi kryeqytet rajonal që Rusia kishte kapur që nga pushtimi i shkurtit.

Të hënën Zelenskyy vizitoi Khersonin, i cili është bërë trofeja më e madhe që trupat e tij kanë rimarrë, duke u zotuar se do të vazhdojnë derisa Ukraina të rimarrë kontrollin e të gjithë territorit të saj të pushtuar.

Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve të G20-ës në samitin e tyre, duke përfshirë presidentin amerikan Joe Biden dhe presidentin kinez Xi Jinping, të miratojnë një formulë paqeje prej 10 pikash dhe t'i japin fund luftës "drejtësisht dhe në bazë të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar".

Nuk dihet menjëherë nëse Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili kryesonte delegacionin rus në samit, qendroi në sallë kur po fliste lideri ukrainas.

“Nëse Rusia kundërshton formulën tonë të paqes, do ta shihni se ajo dëshiron vetëm luftë”, tha Zelenskyy.

Udhëheqësi ukrainas bëri thirrje gjithashtu që të rivendoset "siguria nga rrezatimi" rreth termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia, ku po zhvillohen luftime.