Rudina Hajdari për 12 nëntorin: Qytetarët i dhanë mesazh të qartë Ramës, ai s'ka më popullaritet

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari thotë se protesta e 12 nëntorit ishte masive dhe kishte një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve të Tiranës.

Në një intervistë për Euronews Albania, Hajdari u shpreh se populli dha një mesazh në protestë, ku sipas saj, kryeministri Edi Rama nuk gëzon më popullaritet.

“E kemi parë reagimin pozitiv që mezi po e prisnin 12 nëntorin, kisha ndjesinë që do dilte akoma më mirë se 7 korriku dhe ashtu doli. Tirana sidomos, kishte një pjesëmarrje goxha të madhe, është shumë e rëndësishme. Është një nga protestat më masive që ka pasur vendi në 20 vitet e fundit.

Edhe mënyra sesi u organizua, paqësore, e denjë, kjo është një betejë mes shqiptarëve dhe klubit të miliarderëve me në krye Edi Ramën. Ajo çka është e rëndësishme, mesazhi që i dha populli shqiptar Edi Ramës është i qartë, që ai nuk e gëzon më popullaritetin që ai mendon që ka me qytetarët shqiptarë”, theksoi ajo.

Më 12 nëntor, për rreth 3 orë, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë zhvilluan një protestë para Kryeministrisë. Në protestë pati 20 folës, ndër to kryedemokrati, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Të dy liderët, hodhën akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për shpopullimin e vendit, situatën ekonomike dhe korrupsionin.