Berisha: Cënim i thellë i sigurisë kombëtare! Rama-Ahmetaj publikuan të dhënat e SHISH 5 vite më parë

Kryedemokrati Sali Berisha komentoi në emisionin 'Çim Peka Live' sulmet kibernetike ndërsa theksoi se kemi të bëjmë me një cënim të thellë të sigurisë kombëtare.

Duke folur për publikimin e të dhënave të SHISH dhe kreut të saj Helidon Bendo nga sulmi kibernetik i iranianëve, Berisha tha se të dhëna të ngjashme kanë dalë edhe pesë vite më parë, dhe këtë e ka bërë Edi Rama me Arben Ahmetajn.

"Cënim i thellë. Ke të ekspozuar shërbimin tënd inteligjent tek të gjitha shërbimet armiqësore që mund të ndërhyjnë, të krijojnë bashkëpunëtorë, të rekrutojnë, të paguajnë.

Kjo me SHISH ka ndodhur edhe pesë vite më parë, identike, me rroga, numra telefoni, me pozicion dhe NATO u shqetësua shumë.

Këtë e bëri direkt Rama-Ahmetaj. Rama për t'i nxjerrë, bëri atë që një kryeministër se bën kurrë. Kryeministri është njeriu që firmos organigramën, strukturën e SHISH.

Për të parë dhe për t’i bërë vulnerabël siç i bënë tani këta, këta kërkuan rrogat, nga thesari ato u shpërndanë në gjithë Shqipërinë. E çfarë tu thuash iranianëve tani? E bëri atëherë Edi Rama."-tha Berisha.