Luçiano Boçi, 'grushti' që shemb regjimin!

Kandidimi i Luçiano Boçit në Primaret e Partisë Demokratike për nxjerrjen e kandidatit për Bashkinë Elbasan, më gëzon pa masë! Luçiano Boçin e njoh këtu e 13 vjet më parë, kur unë nisa studimet në Elbasan dhe ai ishte pedagog në universitet. U njohëm në korridoret e universitetit dhe më pas bashkëpunëtor në media dhe jo vetëm.

Në Elbasan e njohin dhe e respektojnë Luçianon, qytetaria elbasanase e shprehu këtë vlerësim një vit më parë ndaj Luçianos duke e bërë atë si deputetin e vetëm demokratë në gjithë Shqipërinë që thyeu hersin dhe u fut në Kuvend me votë popullore. 

Kjo është mjaftueshëm e rëndësishme për të të thënë se Luçiano është kandidatura më me vlerë dhe potencialisht e mundur për të fituar dhe kthyer te demokratët bashkinë e Elbasanit.

Por, pa shkuar dhe rendituar vlerat, virtytet, qytetarinë, kontributin për demokratët dhe gjithçka tjetër, Luçiano Boçi në fakt ka një veçori që pakkush e ka në Elbasan. U kujtohet mirë, pak para zgjedhjeve të shkuara, se si ai u përball me një nga përfituesit më të mëdhenj të pasurive publike gjatë qeverisjes socialiste.

Ju kujtohet grushti ndaj Gjergj Lucës dhe qëndrimi burrëror i Luçianos, përball në fakt jo një biznesmeni do si do, por një njeriu që ka pas shtetin dhe pushtetin. Në fakt, ajo zënkë, ai grusht, nuk ishte thjesht një grusht ndaj një biznesmeni, por shpërthimi i revoltës përballë regjimit të Edi Ramës.

Përballë frymës kriminalizuese të një qeverie që si ajo e Edi Ramës, që në 9 vjet e ka kthyer Shqipërinë në një karakatinë që po shembet dita-ditës, pasi njerëzit po i ikin. Ai grusht, ajo revolt, ajo përballje, ai moment, ndoshta shënoi kapërcimin e vijës së kuqe të pushteti ndaj edhe një njeriu, që sëpaku kishte me vete 10 mijë vetë.

Në fakt, ai grusht legjitimoi mënyrën dhe formën se si duhet përballur me pushtetin, për të ndalur me çdo kusht revanshin që ka marrë ndaj qytetarit të thjeshtë, atij pa mbrojtje, pa pushtet, para, mik në polici a prokurori.

Prandaj më gëzon sot kandidatura e Luçiano Boçit, pasi Elbasani i qytetarisë, i luleve, kulturës, djepi i arsimit shqip, këto 9 vjet të qeverisjes së Ramës është njollosur pa meritë me damkën e krimit e korrupsionit.

Ndaj më gëzon sot kandidatura e Luçiano Boçit, se është “grushti” që i duhet Elbasanit kundër regjimit të Edi Ramës. Është grushti që shemb muret që kanë “burgosur” qytetarinë. Është grushti që shpërthen revoltën brenda kujtdo, që do t`i rikthejë Elbasanit, emrin në piedestalin ku e meriton!

Shënim: Ky shkrim është një konsideratë krejt personale për z.Luçiano Boçi, të cilin e njoh dhe e respektoj prej kaq vitesh! Është një konsideratë, që e shpreh me kënaqësi, për një njeri që mendoj se ka aftësinë dhe është i duhuri për të drejtuar Elbasanin!