'Kosova dhe Serbia të ulin urgjent tensionet'/ Borrell: Brenda 21 nëntorit, të gjendet zgjidhja

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se edhe Kosova edhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një rrugë për të qetësuar tensionet e krijuara.

Veç kësaj ai gjatë adresimit të tij, kërkoi se të dyja palët duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore.

Borrell këto deklarata i bëri pas raportimit të tij në Këshillin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE, ku theksoi se kriza aktuale në veri të Kosovës është më e rrezikshmja dhe më e rënda që nga viti 2013.

‘Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmëri për të gjetur një zgjidhje për të ulur tensionet. Është e papranueshme që të injorohen detyrimet që vijnë nga dialogu’, tha Borrell.

Ai i kërkoi serbëve që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa Qeverisë së Kosovës që të tregojnë fleksibilitet në çështjen e targave, ndërsa të punojnë drejt krijimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.