'Kriptomonedha nga krimi i organizuar, pastrim parash', hakerat publikojnë mesazhet e kreut të SHISH

Kreu i SHISH Helidon Bendo, vijon të jetë në shënjestër të hakerave iranianë. Mbrëmjen e së dielës Homeland Justice, publikoi email-et e tij, ku bien në sy, aktivitete dhe trajnime që kanë të bëjnë me parandalimin e sulmeve kibernetike por edhe të aktivitetit kriminal me kriptomonedhat. Në një prej këtyre trajnimeve, vlerësohej në rritje dhe me rrezik përdorimi kriptomonedhave nga krimi i organizuar për pastrim parash apo financim të terrorizmit.

Të dielën në mbrëmje hakerat iranianë publikuan e-mailet e kreut të SHISH, Helidon Bendo, ku përfshihen kontaktet e tij dhe mesazhet hyrëse e dalëse.

Bien në sy aktivitetet dhe trajnimet e kryera nga përfaqësues të inteligjencës shqiptare, përfshirë edhe ato me ekspertë të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin të financuara nga agjencitë dhe partnerët.

Njëri prej tyre i përket shkurtit të vitit 2019, me interesim dhe kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë rreth krimeve kibernetike e konkretisht kriptomonedhave, "tipologji tanimë jo shumë e re, por në zgjerim dhe me rrezik përdorimi nga krimi i organizuar, për pastrim parash por edhe për financim terrorizmi, për shkak se ofron mundësi shumë të mira kamuflimi dhe strukturimi transaksionesh", thuhet mes të tjerave në përmbajtjen e e-mailit.

Ndërkohë që bëhet fjalë për 3 vite më parë, kur partnerët ndërkombëtarë sponsorizonin dhe trajnonin ekipet shqiptare për të parandaluar veprimtarinë e këtyre aktiviteteve kriminale, pikërisht krerët e këtyre strukturave si Policisë së Shtetit apo SHISH-it kanë rënë pre e tyre, duke u publikuar e-meilet zyrtare apo emrat dhe të dhënat personale të punonjësve të SHISH apo Policisë.

Sa u përket kritpomonedhave, pavarësisht fenomenit të përhapur prej vitesh tashmë, vetëm disa ditë më parë, u finalizua një operacion, i pari i këtij lloj. Ky i nxitur nga partnerët ndërkombëtar sidomos spanjoll, që ishte edhe shteti në të cilin qytetarë të shumtë kishin denoncuar mashtrimin kompjuterik nga grupi kriminal që kishte qendra kontakti edhe në Shqipëri, për të investuar para në shuma të mëdha.