Çështja e targave/ Gazetari: Kurti gaboi, të dëgjojë SHBA! Policia të ofrojë siguri në veri

Gazetari Lavdim Hamidi, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës dhe presionin ndërkombëtar ndaj qeverisë së Albin Kurtit për asosacionin e komunave serbe. Hamidi deklaroi se policia duhet të ofrojë siguri në veri të Kosovës ndërsa shtoi se vendimi për targat është marrë pa u koordinuar me SHBA-të.

"Si rezultat patëm tërheqje të serbëve nga institucionet lokale dhe ato të drejtësisë. Proces që u arrit në bisedime vite më parë, me një vendim për targat të gjithë boshatisën institucionet. U krijua vakum institucional në veri të vendit."-tha Hamidi.

Sa e ka sovranitetit qeveria, në veri të Kosovës, Hamidi tha se atje kanë vepruar grupe kriminale dhe problemi i shtrirjes në vazhdimësi të autoritetit atje i ka sfiduar të gjitha qeveritë e Kosovës.

"Ideja e aleatëve, ka qenë që kjo çështje e targave është e drejtë e Kosovës, por çështja të shtyhej e të bëhej përpjekja për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi ku do përfshihej edhe kjo e targave.

Kurti këtë këshillë nuk e dëgjoi dhe kemi situatën me braktisjen e institucioneve nga serbët në veriun e Kosovës. Bota po kërcënohet nga një sulm nuklear i mundshëm në Ukrainë nga forcat ruse, ne flasim për targat, çështje shumë e parëndësishme krahasuar me zhvillimet ndërkombëtare.

Pati një çkordinim të plotë. Besoj se Kurti më në fund deri më 20 nëntor do i dëgjojë rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe çështjen do ta shtyjë me 10 muaj e do vazhdohet me proceset e tjera.”-tha Hamidi për Syri Tv.