Biden-Xi: Armët bërthamore nuk duhen të përdoren në Ukrainë

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti Xi Jinping "folën sinqerisht për prioritetet dhe synimet e tyre përkatëse për një sërë çështjesh" gjatë bisedimeve të tyre ballë për ballë në Bali të hënën, sipas  Shtëpisë  së Bardhë.

“Presidenti Biden shpjegoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të konkurrojnë fuqishëm me Kinën, duke përfshirë investime në burimet e forcës në vend dhe duke përafruar përpjekjet me aleatët dhe partnerët në mbarë botën”, tha Shtëpia e Bardhë.

“Ai përsëriti se kjo garë nuk duhet të kalojë në konflikt dhe nënvizoi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet ta menaxhojnë konkurrencën me përgjegjësi dhe të mbajnë linja të hapura komunikimi”.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden nënvizoi fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke përfshirë ndryshimin e klimës. 

Por ai gjithashtu ngriti shqetësime për të drejtat e njeriut, duke përfshirë në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong.

 Biden trajtoi dhe çështjen e Tajvanit, duke thënë se "Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo ndryshim të njëanshëm të status quo-së nga secila palë, dhe bota ka një interes në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit".

“Ai ngriti kundërshtime të SHBA-së ndaj veprimeve shtrënguese dhe gjithnjë e më agresive të Republikës Popullore të Kinës ndaj Tajvanit, të cilat minojnë paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë dhe rrezikojnë prosperitetin global”, tha Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ata ranë dakord që Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken do të vizitonte Kinën për bisedime pasuese.

Gjithashtu udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe presidenti amerikan Joe Biden shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat kryesore rajonale dhe globale, në takim duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës, po sipas Shtëpisë së Bardhë.

"Presidenti Biden ngriti luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënimet e papërgjegjshme të Rusisë për përdorimin bërthamor. Presidenti Biden dhe Presidenti Xi përsëritën marrëveshjen e tyre se një luftë bërthamore nuk duhet të bëhet kurrë dhe nuk mund të fitohet kurrë dhe nënvizuan kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të armët bërthamore në Ukrainë”, tha Shtëpia e Bardhë.