Tre të vdekur dhe dy të plagosur në universitetin e Virxhinias, policia në ndjekje të vrasësit të rrezikshëm

SHBA - Të shtënat në kampusin e Universitetit të Virxhinias të dielën vonë lanë tre persona të vdekur dhe dy të plagosur, tha Policia e universitetit në një postim në Twitter, duke shtuar se i dyshuari ishte ende i lirë dhe "i armatosur dhe i rrezikshëm".

Policia e universitetit identifikoi një student, Christopher Darnell Jones si të dyshuar dhe tha se agjenci të shumta ishin përfshirë në një kërkim të gjërë.

Jones u përshkrua si i veshur me një "xhaketë vishnje, xhinse blu dhe këpucë të kuqe" dhe mund të ketë qenë duke ngarë një makinë SUV të zezë, sipas autoriteteve.

Një e-mail dërguar trupit studentor nga nënkryetari i universitetit rekomandoi që të gjithë studentët të shkonin në vende të sigurta dhe të ndiqnin urdhrat për strehim në vend pasi situata ishte ende e nderë.

“Ky është një incident traumatik për të gjithë në komunitetin tonë dhe ne i kemi anuluar mësimet për sot”, tha presidenti universitetit, Jim Ryan në një deklaratë.

Të shtënat janë ndër të fundit në një valë dhune me armë në kampuset e kolegjeve dhe shkollave të mesme të SHBA në vitet e fundit.

Gjakderdhja ka nxitur debatin për kufizime më të forta për aksesin ndaj armëve në Shtetet e Bashkuara, ku Amendamenti i Dytë i Kushtetutës garanton të drejtën për të mbajtur armë.