Mediat ekuadoriane kërkojnë gjurmët e ‘mbretit’ të kokainës. Si arriti të fitonte lirinë me…

Dritan Rexhepi prej 4 ditësh është kthyer në kryefjalën e mediave ekuadoriane për shkak se ai nuk gjendet gjëkundi.

Mediat vendase kanë kërkuar të kontaktojnë personin, që për ta tashmë është një nga emrat proverbialë, por ai që me 15 janar të këtij viti është ‘zhdukur’ në drejtim të paditur. Rexhepi, i konsideruar si mbreti i trafikut të kokainës, është liruar me kusht, pasi sipas një vendimi gjykate në Guayaquil-i ai jo vetëm që kishte sjellje të mirë, por ai madje nuk kishte asnjë lloj tentative për t’u larguar nga vendi deri në vitin 2027, kohë kur i përfundonte dënimi me kusht, për shkak të masës prej 13 vitesh dhënë nga drejtësia ekuadoriane.

Po ashtu, avokatët e shqiptarit, ndër avokatët më në zë të qytetit-port, kanë paraqitur në gjykatë edhe një raport pune për shqiptarin, duke e bindur këtë gjykatë që ta nxjerrë në liri me detyrim paraqitje pranë policisë lokale. Hera e fundit që Dritan (Gramoz) Rexhepi bëhet me dije që është paraqitur në policinë vendase ka qenë 15 janari, por policia dhe as autoritetet e tjera përgjegjëse nuk kanë dhënë shpjegime për mediat e shumta të interesuara për ‘fatin’ e trafikantit shqiptar që me sa duket ka realizuar edhe arratisjen e radhës, edhe pse Ekuadori, ashtu si Dubai janë kthyer në vendqëndrimet e sigurta të të gjithë personave që merren me trafiqe por edhe që kanë probleme me drejtësinë e vendeve të BE-së.

Interesi në Ekuador për Rexhepin

Në fakt, Dritan Rexhepi është i shumëkërkuar jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Belgjika dhe Italia. Përpos një morie aktesh të rënda, që në vendin tonë i janë regjistruar në një moshë relativisht të re, emri i tij del edhe te një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vendin tonë viteve të fundit. Dritan Rexhepi u përfol si i përfshirë në rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, pukjanit që u mor peng për shkak të një sasie kokaine që humbi në portet e Anglisë dhe mafia e drogës akuzoi pikërisht vëllain e Jan Prengës si personin që e kishte marrë sasinë e kokainës.

Ndonëse Rexhepi tentoi që të përjashtohej nga ai skenar gjakatar i rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së një të pafajshmi, emri i tij u lakua jo pak në mes të protagonistëve të cilët përdoren edhe pleqësinë për të negociuar për të shpëtuar jetën e pengut, që në fakt, fatkeqësisht, e kishin vra! Mediat në Ekuador shkruajnë se Dritan Rexhepi, krimineli shqiptar që organizoi një strukturë të sofistikuar për dërgimin e kokainës nga Ekuadori në Evropë, pranoi para lirinë, të njohur si një regjim gjysmë i hapur, në nëntorin e një viti më parë.

Kjo e drejtë, e cila iu mohua në raste të mëparshme, detyron ai të qëndrojë në Ekuador deri më 26 qershor të vitit 2027, kur i përfundon dënimi për trafik droge, por duke e vuajtur dënimin në liri. Rexhepi, i cili njihet edhe me emrat Lulëzim Murataj ose Edmir Kraja, duhet të paraqitet çdo 15 ditë përpara njësisë së riintegrimit social në Guayaquil. Atij gjithashtu i ndalohet të largohet nga vendi dhe të përsërisë krime të tjera. Sipas dosjes, nëse Rexhepi nuk respekton dispozitat e gjyqit, ai do të shpallej i arratisur. Sipas Balkan Insight, Rexhepi, i njohur si “mbreti i kokainës”, është lideri i një federate kriminale transnacionale të trafikantëve shqiptarë të drogës që ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë.

Trafiku i Rexhepit, i cili filloi në vitin 2014 gjatë qeverisë së Rafael Correa-s dhe vazhdoi gjatë mandateve të Lenín Moreno-s dhe Guillermo Lasso-s, vazhdoi edhe ndërsa ishte në burg, pasi ai mbante një celular, edhe pse autoritetet mohuan që ai të kishte pajisje në qelinë e tij. Dokumentet e ndryshme të gjykatës italiane identifikuan 42-vjeçarin si “mbret të padiskutueshëm” me akses në “sasi të pafundme kokaine” nga Kompania Bello, një kartel i përbërë nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës dhe që, sipas autoriteteve, ai operon që nga viti 2014 në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali. Rexhepi u kap në vitin 2014 në Ekuador dhe u dënua në vitin 2015 me 13 vite burg për trafik droge. Ai u mbajt në një burg të Guayaquil dhe më pas në burgun Latacunga, 100 kilometra nga Quitto!

Sjellja e mirë dhe raport pune, ja si Rexhepi e mundi drejtësinë

Sipas medias ekuadoriane ‘Infobae’, bëhet me dije se në mënyrë jozyrtare Rexhepi ka mbajtur kontakte me autoritetet e vendit deri më 15 janar të këtij viti, por më pas është zhdukur. Kjo medie kërkoi informacion nga Gjykata Provinciale e Guayas për respektimin e masave të parashikuara nga Rexhepi në regjimin gjysmë të hapur të çështjes së tij, por nuk pati asnjë përgjigje. Po kështu, Infobae ka kontaktuar me mbrojtësin publik që ka kryer procesin e paralirimit të Rexhepit, por avokati siguroi se nuk i mban mend detajet e çështjes dhe se nuk mund të raportojë nëse kapoja shqiptare ka vazhduar të respektojë dispozitat e organeve gjyqësore.

Sipas procesit, Rexhepi u favorizua me regjimin gjysmë të hapur pasi kishte kryer të paktën dy të pestat e dënimit. Gjithashtu, në datën 4 nëntor 2021, përmendet se kapoja shqiptare”, ka një sjellje shumë të mirë’, përveç kësaj nuk regjistron tentativë arratisjeje, po ashtu ka edhe një raport pune. Sipas informacioneve nga Funksioni Gjyqësor, Rexhepi siguroi se do të jetonte në një apartament në Central Park të Samborondón, 14 kilometra nga Guayaquil. Në këtë kompleks banesash private, një apartament prej 125 m2 mund të kushtojë nga 165 000 USD. Mirëpo, siç thuhet në raport, më 10 shkurt 2022, Rexhepit i është autorizuar ndërrimi i adresës, por adresa e re nuk është e shënuar. Kjo nuk është hera e parë që Dritan Rexhepi tenton të dalë nga burgu. Më 23 dhjetor 2020, një gjyqtari mohoi kërkesën për lirimin e kapos shqiptar. Në atë kohë, avokat i Rexhepit ishte Harrison Salcedo, i cili u qëllua me armë në prill të këtij viti në Kuito.