Një baba me të bijën 9-vjeçare mes viktimave në Stamboll: arrestohet e dyshuara për shpërthimin

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 janë plagosur në një shpërthim në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit, kanë thënë autoritetet turke.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 me orën lokale (13:20 GMT) të dielën në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim, njofton BBC.

Një grua e dyshuar tani është arrestuar, tha Ministri i Brendshëm.

Zëvendëspresidenti Fuat Oktay tha më herët se shpërthimi mendohej të ishte një sulm terrorist i kryer nga një grua.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen. Duke folur në një konferencë shtypi në Stamboll, ai dënoi atë që ai e quajti "sulmin e poshtër" dhe tha se "era e terrorit" ishte në ajër.

Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha për mediat turke se një grua ishte ulur në një stol në zonë për më shumë se 40 minuta, duke u larguar vetëm disa minuta para se të ndodhte shpërthimi.

Të hënën në mëngjes, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se një person i dyshuar se kishte lënë bombën ishte arrestuar nga policia dhe akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si përgjegjëse.

PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste.

Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Ministri i qeverisë Derya Yanik shkroi në një postim në Twitter se një punonjës i ministrisë së qeverisë dhe vajza e tij e vogël ishin mes viktimave. 

Yusuf Meydan me të bijën 9-vjeçare Ecrin Meydan, ishin ndër viktimat e bombës. Arkivolet e babait dhe të së bijës, të mbështjellë me flamurin turk, u çuan në makinën e varrimit mbi supet e skuadrës ceremoniale për në shtëpinë e tyre në distriktin Gülpınar. Mësohet se Meydan kishte shkuar në Stamboll me gruan dhe vajzën e tij Ecrin më 12 nëntor për fejesën e vëllait të tij  dhe e kishte lënë vajzën 5-vjeçare Derin tek të afërmit e tyre në Adana.

Korrespondentja e BBC, Orla Guerin, e cila ndodhet në zonë, tha se kishte një prani të madhe policie rreth rrugës Istiklal, e cila ishte rrethuar. Helikopterët po qarkullonin lart ndërsa ambulancat shkonin përpara - mbrapa.

Shumë tregtarë që qëndronin në dyert e tyre në rrugën normalisht të zhurmshme dukeshin të habitur, tha ajo, duke shtuar se incidenti shkaktoi tronditje për shumë njerëz në qytet.

Hayat, i cili ishte në një internet kafe në rrugën Istiklal kur ndodhi shpërthimi, tha se kishte trazira pas shpërthimit.

"Pashë njerëz që vraponin përreth dhe njerëz të plagosur po kalonin pranë kafenesë së internetit drejt spitalit," tha ajo. "Ishte një furi."

Një tjetër dëshmitar okular, Cemal Denizci, ishte rreth 50 metra nga vendi ku ndodhi shpërthimi kur ndodhi. "Kishte tym të zi. Zhurma ishte aq e fortë, pothuajse shurdhuese," i tha ai AFP.

20-vjeçari Eyup i tha BBC-së se "ka frikë" mes banorëve të Stambollit pas sulmit, duke shtuar se shumë njerëz mund të zgjedhin të qëndrojnë larg zonave të mbushura me njerëz si Taksimi.

Pas sulmit, ngushëllimet për Turqinë kanë ardhur nga e gjithë bota.

Sipas një deklarate nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, Shtetet e Bashkuara thanë se qëndronin "sup më sup" me aleatin e saj të NATO-s në "luftën kundër terrorizmit".

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në një postim në Twitter në turqisht: "Ne ndajmë dhimbjen tuaj... Ne jemi me ju në luftën kundër terrorizmit".

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjithashtu në një postim në Tëitter në turqisht, tha: "Dhimbja e popullit mik turk është dhimbja jonë".

Vende duke përfshirë Pakistanin, Italinë dhe Greqinë shprehën gjithashtu solidaritetin e tyre.

Rruga Istiklal - një nga arteriet kryesore të qytetit e cila zakonisht është e mbushur me blerës - ishte shënjestruar më parë nga një kamikaz në vitin 2016.