Serie A/ Roma shmang humbjen në shtesë, Torino i merr pikë brenda në ‘Olimpico’

Roma barazoi 1-1 në “Olimpico” ndaj Torinos në javën e 15-të të Serisë A, duke humbur pikë të tjera të rëndësishme për objektivin Champions.

Verdhekuqtë e shmangën humbjen në kohën shtesë me golin e Matic, teksa miqtë nga Torino kishin kaluar në epërsi me Linetty-n në minutën e 55-të.

Në fakt, në minutën e dytë shtesë, një ish i Torinos, Belotti, humbi jë 11-metërsh, por dy minuta më vonë “benjamini” i Mourinhos, serbi Matic, i dha Romës një pikë.

Nuk ka mundur t’i përmbajë nervat Jose Mourihno, që pak çaste para përfundimit të kohës së rregullt u ndëshkua me karton të kuq për protesta.

Në minutën e 70-të u aktivizua edhe Paulo Dybala, që vinte në këtë ndeshje pas një mungese të gjatë për arsye dëmtimi.

Në takimet e tjera Monza triumfoi 3-0 ndaj Salernitanës me gola të Carlos Augustos, Dany Motas dhe Pessinas (ky i fundit shënoi me 11-metërsh).

Në krizë të thellë Verona, që u mposht 1-2 nga Spezia, falë dygolëshit të Nzola, që bëri të pavlefshëm finalizimin e Verdit.