Kina ndërton stallën më të madhe të derrave në botë

Ndërtesa e dytë 26-katëshe për fermën e derrave do të jetë së shpejti funksionale në Kinë. Kur të përfundojë, objekti pritet të bëhet ferma më e madhe e derrave në botë. Faqja pigprogress.net saktëson se godina e parë është tashmë në funksion, ndërsa e dyta është në ndërtim e sipër. Çdo strukturë ka një sipërfaqe prej 400 mijë metrash katrorë.

Pronari i fermës është Hubei Zhongxin Kaiwei Modern Animal Husbandry, aksioneri kryesor i së cilës është një prodhues lokal çimentoje, i cili planifikon të përdorë nxehtësinë e gjeneruar nga fabrika e çimentos për të ngrohur ndërtesat.

Kompleksi në ndërtim ndodhet në Ezhou, rreth 80 km në juglindje të Wuhan-it dhe, pasi të përfundojë, do të dërgojë 1.2 milionë derra në thertore në vit.

Në godinën aktualisht në funksion, dhoma e kontrollit ndodhet në katin e parë dhe koordinon furnizimin me ushqim dhe ujë të pijshëm, si dhe verifikimin në kohë reale nëpërmjet një rrjeti sensorësh për temperaturën, lagështinë dhe përqendrimin e gazeve toksike.

Ferma është e pajisur me një sistem për trajtimin e mbetjeve, i cili përmes një impianti të biogazit e shndërron plehun e derrit në energji për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes. Sipas kompanisë, ky trajtim redukton avullimin dhe neutralizon mbi 90% të gazrave me erë.