Dëmtohet mbrojtësi i Interit, frikë për Botërorin

Interi fitoi në transfertën e Bergamos ndaj Atalantës teksa i mposhti vendasit me rezultatin 2-3.

Zikaltrit morën një trepikësh shumë të rëndësishëm për ecurinë e kampionatit, por ankthi për Denzel Dumfries zëvendësoi festën.

Mbrojtësi u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 72-të për shkak të një dhimbje në gju, ndërsa reagimi i tij duke vendosur duart në fytyrë si një shenjë dëshpërimi, shton frikën edhe te Holanda.

Trajneri i “Tulipanëve”, Louis Van Gaal, e kishte emrin e Dumfries në listën për Kupën e Botës, por tashmë teknikut 71-vjeçar i duhet të presë përgjigjet e analizave të cilat janë të vetmet që mund të përcaktojnë shkallën e dëmtimit të 26-vjeçarit.

Kujtojmë se Holanda e nis rrugëtimin e saj në Botëror, të hënën e ardhshme ndaj Senegalit, teksa është shortuar në Grupin A, me organizatorët e Katarit dhe Ekuadorin.