Shehi reagon në këtë mënyrë pas barazimit të Tiranës me Vllazninë në kryeqytet

Orges Shehi e cilëson të pranueshëm barazimin mes Tiranës dhe Vllaznisë, pasi sheh shkodranët si një rival për titullin kampion.

Trajneri i bardhebluve theksoi se ekipi kishte bërë mirë sidomos në pjesën e dytë në një sfidë ku pranoi se mund të ndodhte gjithçka.

“Është e vërtetë që luajtëm një ndeshje me ritëm të dy skuadrat. Kundërshtari në krijoi shumë probleme në pjesën e parë me Boshnjakun, por ishte ndeshje mes rivalëve që kishte të gjitha rezultatet brenda.

Është një ndeshje që kishte ritëm, ndoshta mbi mesataren sa i përket kampionatit tonë, me dy skuadra që kalonin nga sulm në kundërsulm. Duke pasur këtë ritëm lojtarët kishin probleme fizike.

E kemi thënë që në fillim që Vllaznia është një nga pretendentet. Duke qenë e tillë, se ka lojtarë cilësore, ka alternativa në stol. Këto janë ndeshje rivalësh që prodhojnë lojë, janë ndeshje që asnjë skuadër nuk qëndron mbrapa por për të fituar. Kur luhet kështu, është rreziku prezent që mund të fitosh apo mund ta humbasësh.

Vllaznia ka lojtarë ofensivë në krahë si Hakaj që shtyn, ne në pjesën e parë na krijonte pak vështirësi lojtari përpara mbrojtjes. Gjatë lojës ndryshuam dhe ishim vonë në mbulimin e krahëve dhe kjo na sillte pështjellim. Në pjesën e dytë ndryshuam përsëri, e vendosëm Patrik që të mbante numrin 6 të tyre dhe Xhixha e Florenti të ishin në pozicion të dyfishtë edhe për të dubluar krahët.

Ana fizike e disa lojtarëve çedoi pak, por nuk deshëm të ndryshonim mënyrë se kur rreziku është prezent, edhe kundërshtari ka rrezikshmëri e nuk del gjithë kohën në sulm, por kujdeset edhe për mbrojtjen duke parë lojtarët tanë të sulmit, ka frikë të dalë para.

Kishim më shumë ekuilibër e ishim dominues në pjesën e dytë, Xhixha kishte udhëzim që të mos kthehej pas, por Vllaznia na vuri në vështirësi me Gurishtën që shikonte lart. Ndryshuam rreshtim kur na bënë presion në mesfushë, ndërrimet në mesfushë ishin pak të detyruara.

Ishte ritëm i çmendur, se kishte nisje e rinisje dhe me këtë lojë dy mesfushorët lodhen më shumë ndaj ndërruam Veselin e Kallakun. Në pjesën e dytë ishim më konkretë, mund ta zgjidhnim më mirë me një pasim për shokun e jo veprime individuale”, tha Shehi për “Oversport” pas duelit.