Ministri britanik, Jenrick: Po abuzohet me bujarinë e britanikëve

Duket se akomodimi në hotele luksoze po i tërheq emigrantët sipas qeveritarëve britanikë. Deklaratave të sekretares së Brendshme Braverman iu bashku edhe ministri i emigracionit Robert Jenrick i cili u shpreh se azilkërkuesit po përfitojnë nga bujaria e britanikëve ndaj refugjatëve për të kërkuar një jetë luksoze.

Pas deklaratave të forta të Sekretares së Brendshme Suela Braverman kundër emigrantëve të jashtëligjshëm shqiptarë, ka qenë radha e ministrit të Emigracionit, Robert Jenrick për të dalë kundër fenomenit të shfrenuar në Britani, siç e cilësoi ai.

Sipas ministrit britanik, akomodimi bazë është kthyer në një faktor tërheqës për emigrantët dhe po i shtyn ata të rrezikojnë jetën e tyre për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Britani. Jenrick propozoi ndërrimin e dhomave luksoze me hapësira ‘të thjeshta, funksionale’ në banesat e braktisura të studentëve, parqet jofunksionale të pushimeve dhe madje edhe anijet e lundrimit me buxhet si vend strehimi për emigrantët e paligjshëm.

Jenrick u shpreh për mediat britanike se po abuzohet me bujarinë e kombit anglez ndaj refugjatëve nga kërcënuesit e radhës, duke vënë më shumë presion mbi një sistem emigracioni që tashmë është në kolaps. Komentet e tij vijnë pasi numri i emigrantëve që kaluan Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit ka të ngjarë të kalojë 40,000, me dhjetëra të tjerë që kanë mbërritur të shtunën.

Ministri i emigracionit u zotua gjithashtu të shikojë zgjerimin e skemës së diskutueshme të dëbimit nga Ruanda, e prezantuar nga ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel.

Deri tani për vitin 2022 kanë mbërritur në Britaninë e madhe rreth 40 mijë emigrantë përmes kanalit anglez, shifër kjo që pritet të shënojë rekord të historik në fund të nëntorit.