VIDEO-SYRI TV/ Mediat e huaja, jehonë protestës së opozitës, Reuters: Protesta kundër varfërisë në vend

Protesta masive e organizuar nga opozita, mbrëmjen e 12 nëntorit ka zënë faqet kryesore në mediet më prestigjioze të botës. Agjencia e lajmeve Reuters, Daily Mail, Al Jazeera dhe shume media te tjera kane evidentuar pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në këtë protestë dhe kanë përcjellë mesazhet kryesore të saj që lidhen me varfërinë korrupsionin qeveritar, abuzimet me fondet publike dhe shpopullimin e Shqipërisë.

Nga SYRI TV

Protesta e madhe e organizuar nga opozita kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka bërë jehonë në mediet ndërkombëtare. Agjensia prestigjioze e lajmeve Reuters shkruan se dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur para kryeministrisë në 12 nëntor për të protestuar kundër korrupsionit, varfërisë, dhe shpopullimit të Shqipërisë.

Reuters ka vijuar më tej duke sjellë në vëmendje çarjen e kordonit policor nga protestuesit, ku kryeministria është goditur me bojë të kuqe dhe janë ndezur qirinj në kujtim të të rinjve që janë vrarë nga “duart” e Policisë të Shtetit teksa është arrestuar dhe një nga protestuesit.

Edhe mediet britanike i kanë dhënë hapësirë protestës së një dite më parë.

Daily Mail citon kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili deklaroi gjatë fjalës së tij se Edi Rama ka bërë që e gjithë bota t’i shohë shqiptarët përsëri si “njerëzit e gomoneve” pasi u ka vjedhur votën dhe i ka detyruar të largohen nga vendi.

Daily Mail shkruan se qindra mijëra protestues u mblodhën për të protestuar kundër qeverisë socialiste dhe Edi Ramës, për rritjen e çmimeve të ushqimit dhe karburanteve, korrupsionit dhe krimin që ka mbërthyer Shqipërinë.

Al Jazeera shkruan se qindra mijëra shqiptarë janë mbledhur para kryeministrisë për të protestuar mbi korrupsionin dhe kostot e papërballueshme të jetesës në Shqipëri. Al Jazeera është fokusuar gjithashtu mbi çarjen e kordonit policor nga protestuesit duke hedhur bojë mbi muret e kryeministrisë, teksa tregon se Shqipëria është përballur me një rritje shumë të madhe të çmimeve.

Deutsche Welle shkruan se me moton “Shqipëria në Rrezik” qindra mijëra protestues janë derdhur në sheshin para kryeministrisë për të protestuar kundër korrupsionit varfërisë dhe emigracionit. Shqiptarët ju përgjigjën thirrjes së partive opozitare shkruan Deutsche Welle ku protestuan për më shumë se 3 orë. Ne artikull evidentohen edhe përplasjet me forcat e policisë, arrestimi i një qytetari.

Media greke “Protothema” gjithashtu i ka bërë jehone protestës së opozitës shqiptare. Ne artikull thuhet se dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur para selisë së kryeministrisë në Tiranë për të protestuar mbi korrupsionin, vjedhjen, rritjen e çmimeve dhe largimin e të rinjve nga vendi për të kërkuar kushte më të mira jetese.

Për protestën e organizuar nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë në Tiranë këtë të shtunë kanë shkruar gjerësisht agjencitë e lajmeve në mbarë botën si Associated Press, The Uashington Post, USNews, FoxNews apo The Independent.

Ndërkohë, Zëri i Amerikës, media zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit, e ka transmetuar protestën LIVE në faqen e saj zyrtare.