Julian Deda s'i lë 'thumbat': Pas kësaj proteste, Rama e ka me 2 mendje, kandidimin e Veliajt në Tiranë...

Julian Deda, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, që ka vendosur të fitojë garën brenda PD-së për t’u përballur me kryebashkiakun socialist të Tiranës në zgjedhjet lokale, ka qënë në radhët e para të protestës së opozitës përpara kryeministrisë.

Me ironi, artisti i mirënjohur tashmë sa dhe në politikë, shkroi për kryeministrin: “Pas protestës së sotme, Edi e ka me dy mendje kandidimin e Erionit për bashkinë e Tiranës.”

Julian Deda i hyri me thjeshtësi dhe seriozitet, politikës vitet e fundit, pa e lënë menjanë karrierën e tij si aktor. Ai qe i qartë në arsyet pse vendosi të garojë në primaret e PD-së për zgjedhjet lokale, në një shënim të lënë në Fb:

“Për çfarë ka nevojë Tirana: për një politikan karrierist apo për një njeri normal, jashtë politikës, që vjen thjesht për të punuar? Këtë e dini ju, por unë di me siguri që deri më sot, Tiranës gjithmonë ia kanë bërë me hile, e kanë shfrytëzuar. Kushdo që ka kandiduar për të marrë Tiranën, si majtas, si djathtas, e ka parë atë si trampolinë për të synuar kreun e partisë që përfaqëson dhe për t’u bërë Kryeministër në një të ardhme, vetëm për kaq e duan kryeqytetin, figurat politike. Pra, asnjë politikan nuk e sheh Tiranën si vend pune, por si lopë për ta mjelë, për ta shfrytëzuar në interes të karrierës së vet politike. Unë them, ta provojmë një herë ndryshe!” shkroi ai.