Berisha, mesazh për partnerët dhe aleatët: Mos mbështesni Edi Ramën, s'do ketë stabilitet pa votë të lirë

Kryetari i PD, Sali Berisha kishte një mesazh për partnerët dhe aleatët nga protesta para Kryeministrisë. 

Berisha kërkoi nga ndërkombëtarët që të mos mbështesin Edi Ramën. 

Lideri i opozitës tha gjithashtu se s'do ketë stabilitet pa votën e lirë.

"Dy fjalë për miqtë, partnerët e Shqipërisë. Opozita shqiptare ka trashëgiminë më të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju. Vendet anëtare të BE, vendet anëtare të NATO-s, partneri strategjik i shqiptarëve, SHBA, të gjithë ato që keni ndërtuar, bazuar mbi vlerat që ndani, mbi votën e lirë, mbi lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushtetushmërinë, zbatimin e ligjit. Sot, ju bëj thirrje: mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve. Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët. Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara", tha Berisha.