Berisha: Ne jemi sot populli i gomoneve sepse Edi Rama ka grabitur votën

"Ne mblidhemi sot këtu kur në njëlloj si 32 vite më parë, bota na shef si njerëzit e gomoneve".

Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha nga protesta masive para Kryeministrisë.  

Shqiptarët janë sot popull i gomoneve, tha Berisha, sepse Edi Rama ka grabitur votën. 

"Ndaj dhe të ndalemi për një moment se pse ne sot pas 32 vitesh u bëmë sërish njerëzit e gomoneve. Mos vallë e ka fajin Shqipëria? Jo, kurrën e kurrës. Nuk ka vend të bekuar si kjo tokë, nuk ka vend më të pasur se ky vend. Por shqiptarët janë sot populli i gomoneve sepse dikush, dhe ky dikush është Edi Rama, ju ka grabitur votën, ka shndërruar lirinë e tyre në iluzion, ka shndërruar votën e tyre në votë kallp, në votë fiktive vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet. Ky armik i lirisë sonë, ky armik i votës suaj, nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh moral, nuk njeh asgjë dhe është vërsulur me të gjithë makinerinë e narkoshtetit që t’u rrëmbejë shqiptarëve votën, dhe bashkë me votën, dinjitetin, besimin, shpresën".