Meta: Marrëveshje historike me PD për t’i dhënë fuqi qytetarëve! Trafikantët e Rilindjes të zhduken, grabitën bukën e jetimëve

Kreu i PL, Ilir Meta, në protestën para kryeministrisë deklaroi se në Shqipëri abuzohet nga qeveria, duke përmendur aferat korruptive. Ilir Meta u shpreh se një tjetër shqetësim i qytetarëve janë çmimet e larta të cilat janë bërë të papërballueshme. Sakaq, Meta përmendi grabitjen e buxhetit të shtetit nga oligarkët dhe mafia në pushtet.

“Miliardat e buxhetit, grabitjet me koncesione, PPP, tendera sekretë me 10 fishin e çmimit, asnjë lek nuk shkon në mbrojtjen e qytetarëve nga inflacioni. Paratë gllabërohen sepse mbi shpatullat e qytetarëve e bizneseve bie pesha e borxhit të rëndë publik, 14 miliardë euro, po e çon vendin drejt greminës financiare.”-tha Meta.

Më tej kreu i Partisë së Lirisë, deklaroi se grabitqarët e Rilindjes, nuk kanë prodhuar asgjë përveç varfërisë e mjerimit.

Nuk rrisin pagat e pensionet, por taksa shtesë. S’kanë vullnet për indeksimin e pagave e pensioneve se e kanë mendjen të vjedhin për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston.  Këta të Rilindjes janë aq të pashpirt sa vodhën dhe bukën e jetimëve. Trafikantë e oligarkë.

Fjala e qytetarëve është ligj, mision, e vërteta e padiskutueshme e popullit dhe e vetmja e vërtetë legjitime.

Marrëveshje historike kam nënshkruar me PD për t’i dhënë fuqinë qytetarëve. Përpara për të shpëtuar Shqipërinë e familjeve tona.”-tha Meta.