Ferzileta Gjika, aktiviste në mbrojtje të Skavicës: Projektet e Ramës janë mafioze

Ferzileta Gjika, aktiviste në mbrojtje të Skavicës deklaroi nga protesta para kryeministrisë se projektet e Edi Ramës janë mafioze. Gjika deklaroi se projekti i Skavicës do shkatërronte peisazhin madhështor të Dibrës.

“I nderuar doktor Berisha! Të nderuar vëllezër dhe motra! Unë vij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të protestuar sot kundërpadrejtësive që i bëhen popullit shqiptar.

Jam me origjinë nga Dibra, punoj si pedagoge në universitetin e New York, por unë dua të jem në Shqipëri.

Unë jam sot për t’i thënë jo eksodit të inteligjencës shqiptare, eksodit të të rinjve që kanë ikur në të gjithë vendet e botës kur shqipëria nuk i mban dot.

Unë i them JO korrupsionit dhe krimit dhe i them JO projekteve mafioze si ajo e Skavicës.

Të nderuar shqiptarë kudo që jeni, hidrocentrali i Skavicës do të shkatërojë peisazhin madhshtor të Dibrës. Do të vjedhë ujin e lumit Drin për ta kthyer në liqen dhe do të shuajë Dibrën si histori, si kulturë, si mrekulli. Do të shuajë Dibrën dhe dibranët dhe të gjithë specie në Shqipëri dhe në ballkan. 

Të nderuar shqiptarë, ndërtimi i Skavicës është gjithashtu një vdekje e lumit Drin. 70 km e fundit që ekzistojnë pa u prekur nga hidrocentralet. Sot i bëj thirrje qeverisë: ndaloni këto pazare që bëni me Dibrën.

Dibranë e shqiptarë kudo që jeni. Historia po ju thërret. Nuk ka gjë në botë që e zëvendëson Dibrën. Sot kemi përgjegjësinë historike ndaj brezave që do vijnë që Dibrën ka trashëgojmë siç e ka krijuar Zoti dhe ta mbrojmë siç e kanë mbrojur të parët tanë.

Rroftë Dibra në shekuj! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë! Faleminderit!”-tha Gjika.