Bayern i dërgoi një mesazh të ashpër Senegalit për Mane: Shëndeti është më i rëndësishëm se futbolli

Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann thotë se klubi do të vazhdojë të monitorojë situatën në lidhje me dëmtimin e Sadio Mane dhe se pavarësisht dëshirës së madhe të Senegalit që ai të luajë në Botërorin e Katarit, shëndeti i lojtarit duhet të jetë më i rëndësishëm se futbolli.

Mane u dëmtua në mesin e javës së kaluar në ndeshjen kundër Werder, kur u godit në këmbën e djathtë dhe për këtë arsye u desh të linte lojën. Siç pritej, sulmuesi nuk do të luajë në ndeshjen e radhës mes Bayernit dhe Schalkes, ndërsa senegalezët duan ta shohin me të gjitha forcat që në ndeshjen e parë në në Katar.

Trajneri Aliou Cisse e përfshiu Mane në listën përfundimtare të pasagjerëve për në Katar dhe megjithëse të gjithë në këtë vend duan ta shohin sulmuesin e Bayernit në fushë dhe në skuadrën e Senegalit, Nagelsmann paralajmëroi se mund të jetë katastrofike për të gjithë.

"Për dhjetë ditë do të kemi një ekzaminim tjetër për Manen për të zbuluar se si po shkon rikuperimi i tij. Ne e kuptojmë që në Senegal të gjithë duan që ai të luajë në Katar, por nëse ai ka dhimbje, nuk mund të luajë. Shëndeti është më i rëndësishëm. Kjo është e vërtetë si për ne, ashtu edhe për të gjithë të tjerët”, tha trajneri i Bayernit.

Senegali do të luajë kundër Ekuadorit, Holandës dhe Katarit në Kupën e Botës. Përfaqësuesja e lartë e Federatës së Futbollit të Senegalit, Fatma Samoura, ka treguar në një intervistë për mediat franceze se senegalezët do të bëjnë gjithçka për të patur Sadio Mane në Botëror dhe se janë gati të përdorin magjistarët.