'Shpërndanin kanabis dhe kokainë', goditet grupi kriminal, në pranga 4 persona në Shkodër

Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis dhe drogave të tjera të forta, duke arrestuar katër persona.

Sipas njoftimit të policisë është sekuestruar lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si edhe një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë

Njoftimi i policisë/ Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vespa”, i zhvilluar nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Goditet një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis dhe drogave të tjera të forta.

Vihen në pranga 4 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike kanabis dhe kokainë.

Sekuestrohen gjithashtu, edhe një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirorganizuar, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u finalizua operacioni policor i koduar “Vespa”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-M. K., 48 vjeç, A. C., 49 vjeç, U. H., 33 vjeç dhe L. K., 16 vjeç, të katërt banues në Shkodër.

Si rezultat i hetimeve proaktive, të kryer në kuadër të një procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal dhe kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Shkodrës.

Gjatë kontrollit fizik këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe kanabis. Gjithashtu, shtetasit M. K., i cili nga hetimet rezultoi se kishte rolin e organizatorit të këtij grupi kriminal, iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë👮️🚔

#tëvendosurkundërkrimit✅

#nëçdoskajtëvendit🇦🇱

#nëshërbimtëqytetarëve👮️🤝