Nuk ishte pjesë e listës së Gjermanisë, futbollisti e përjeton keq: Zhgënjimi më i madh i karrierës!

Mats Hummels e priste një ftesë nga kombëtarja gjermane në Botërorin e Katarit, por Hansi Flick zgjodhi të tjerë mbrojtës në vend të tij. 33-vjeçari i Borussia Dortmund, ka veshur 76 herë fanellën e Kombëtares, numëron pesë gola dhe ishte titullar në triumfin e paharrueshëm në Brazil 2014.

Pjesëmarrja në Katar 2022 ishte mundësia e fundit për të marrë pjesë në një Kupë Bote. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe qendërmbrojtësi elegant e cilëson si zhgënjimin më të madh të karrierës mosgrumbullimin në turneun që do zhvillohet në periudhën 20 nëntor-18 dhjetor.

“Nuk është çudi ta pranoj, ky është një nga zhgënjimet më të mëdha të karrierës sime! Do të kryqëzoj gishtat për ekipin në Kupën e Botës dhe do të përdor kohën time për t’iu përgjigjur një eksperience të tillë me punë të palodhur, siç bëj gjithmonë”, shkroi ish-lojtari i Bayern Munchen në rrjetet sociale.

Trajneri Hansi Flick publikoi listën e 26 lojtarëve të Gjermanisë dy ditë më parë. Tre janë emrat e rinj: Niclas Fullkrug (Werder Bremen), Youssoufa Moukoko (Dortmund) dhe Armel Bella-Kotchap (Southampton).

Katër herë kampionët e botës janë pjesë e grupit E bashkë me Spanjën, Kosta Rikën dhe Japoninë. Gjermania luan sfidën e parë në Botëror ndaj Japoninë (23 nëntor).