Nesër t'ia këpusim filmin e propagandës Edi Ramës!

“Ngrihuni, ngrihuni, ngrihuni për të drejtat tuaja. Ngrihuni, ngrihuni, mos hiqni dorë nga "lufta”. Refreni i një prej këngëve ikonë të legjendës Jamaica-ne të muzikës botërore, Bob Marley, ruan ende aktualitetin për Shqipërinë edhe më se 40 vjet pas vdekjes së këngëtarit. Për ata që fjalën “luftë”, një ditë para protetës së paralajmëruar të PD-së, e lidhin vetëm me përplasjen me armë, ju them të qetësohen…po të duan mund edhe të konsultohen me Fjalorin e Gjuhës Shqipe, i cili shpjegon edhe kuptimin e figurshëm të kësaj fjale për kontekstin e përdorur më sipër.

Por ky “keqkuptim” i mundshëm, sigurisht me dashje, është gjëja më e pa rëndësishme. E rëndësishme është ngritja nesër e siparit për rrëzimin e kësaj qeverie…sepse siç do të thoshte dikur edhe Presidenti amerikan Woodrow Wilson, “Liria nu ka ardhur asnjëherë nga qeveria. Liria ka ardhur gjithmonë nga nënshtetasit e saj”…

… Dhe arsyet për rrëzimin e kësaj qeverie janë të shumta…

Më kryesoret lidhen me gjendjen e rënduar ekonomike, e cila prek gjithçka, çdokënd dhe çdo gjë.

Dyfishimi i çmimeve janë njëra anë e kësaj gjendjeje të rënduar, indiferentizmi i qeverisë për marrje të mundshme masash për lehtësimin e kësaj gjendje është ana tjetër...më e rëndë dhe më e keqe. Por, përballë kësaj gjendje kryeministri Edi Rama zgjedh edhe të tallet, duke tentuar të na bindë se të udhëtosh me charter privat qenka më lirë se të udhëtosh me autobusin e Unazës në Tiranë… Dhe ai pret që ne ta duartrokasim…sigurisht që ne do ta bëjmë, por ndryshe…nesër në shesh.

Ndërsa kryeministri zgjedh të shijojë luksin e tij me udhëtime të pafundme jashtë vendit, kjo falë edhe “bujarisë” së borxhlinjve të jashtëm, që ia kanë mundësuar nivelin e këtij borxhi deri në 107 për qind, vendin duket ua ka lënë në dorë oligarkëve, të cilët korrupsionin me inceneratorët, së fundmi edhe me Portin e Durrësit, e kanë institucionalizuar, për aq kohë sa “Reforma në drejtësi” mbetet një përrallë e bukur dimri dhe se SPAK, “Struktura antikorrupsion”, “Prokuroria”, “Gjykata” etj., janë personazhet e tipit të shtrigës që fluturon në majë të fshesës… por që as fëmijët nuk trembin.

Kësaj gjendje të rënduar ekonomike, po ti shtosh rritjen e taksave, apo më keq akoma, mungesën e transparencës për paketën fiskale të vitit të ardhshëm, shoqëruar me mosparashikime për rritje pagash e pensionesh, e çon situatën në kufijtë e dramatikes…, në kufijtë e mungesës së shpresës me këtë qeveri. Kjo dukshëm bie në sy edhe me rikthimin e emigracionit klandestin për shqiptarët, të cilët pas përvojave të harruara me Otranton, i janë kthyer kapërcimit të La Manshit me gomone…, duke përshëndetur nga poshtë me dorë kryeministrin e tyre që fluturon mijëra metra mbi ta, me charter.

Arsyet që pse nesër do të ngrihet sipari për rrëzimin e kësaj qeverie, lidhen edhe me përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për tu “globalizuar” si politikan, në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Ballkani i hapur”, i cili është një investim personal i Edi Ramës, njëherazi është një devijim i Shqipërisë nga boshti dhe orientimi i saj perëndimor.

Jo vetëm kaq, por kjo tentativë ndërsa tingëllon edhe si përpjekje për të rehabilituar “vëllanë” e tij serb, presidentin Alexandar Vuçiç, dukshëm po kthehet në “boomerang”, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, etj., për deri sa me nuhatjen e tyre, rusët me 101 mijë bizneset që kanë regjistruar gjatë kësaj periudhe vetëm në Beograd, i kanë krijuar vetes parakushte për “sundimin” ekonomik në Ballkan.

Për të gjitha këto, por edhe për shumë e shumë të tjera, nesër kësaj qeverie i duhet këputur filmi, që Edi Rama situatën bardhë e zi të mos na e servirë me ngjyra, sipas regjisë e skenarit të tij, të njëjtë, i cili edhe në udhëtimin e fundit të tij turistik nëpër bashki, nuk ndryshon…