'Protestë për çmimet, arsimin dhe ekonominë'/ Qytetarët: Nesër zbresim në shesh!

Protestës kombëtare të thirrur nga opozita pritet t`i bashkohen mijëra qytetarë nga i gjithë vendi. Disa të rinj folën nga foltorja e Partisë Demokratike në Tiranë, duke treguar aryset pse do të protestojnë. Protestës do t'i bashkohen edhe pensionistët nga i gjithë vendit, të cilët kanë deklaruar se shkaku kryesor pse do të dalin në shesh, është varfëria dhe shpopullimi i Shqipërisë.

SYRI TV

Mijëra qytetarë nga i gjithë vendi pritet t`i bashkohen protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të mbahet ditën e shtunë në datën 12 nëntor në Tiranë, prej orës 16:00.

Disa të rinj, nga foltorja e selisë Blu, deklaruan arsyet pse do të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se shkaku kryesor për ta është arsimi dhe shpopullimi. 

Unë jam Klea Vukaj, 17 vjeç, maturante.
Mungesa e një arsimi cilësor në vendin tim, na bën mua dhe familjen, që të shtrëngohemi shpirtërisht dhe financiarisht, për të parë mundësitë e shkollimit tim jashtë. Unë, si shumë maturantë dhe prindërit e tyre, duam që vendi ynë të ketë universitete cilësore. Jemi të fundit në botë. A nuk mjafton kjo për të dalë të shtunën në protestë. Maturantë dhe prindër na u bashkoni! Ne i dalim zot Shqipërisë.

Mateo Topuzi, 22 vjeç, student.
Barra e çmimeve i rëndon të gjithë. Studentët e ndjejnë, por prindërit tanë edhe më shumë. Energjinë, naftën, produktet e shportës, i paguajmë shtrenjt, sa më i pasuri vend në Europë. Ndërkohë rrogat e shqiptarëve janë  më të ulëtat në Ballkan. Edhe më pak se në Kosovë paguhen shqiptarët. A nuk mjafton kjo për të dalë në protestë? Eja edhe ti, sepse Shqipëria duhet të jetë atdheu me një qeveri që i mbron qytetarët nga krizat, jo që ua thellon ato. Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Bledjan Lica, 22 vjec
Punësimi është kthyer në plagë për të rinjtë si unë. Të mbarosh universitetin në Shqipëri do të thotë të përballesh me një treg pune të pamëshirshëm. Nuk ka punë, nuk ka rroga që u korrespondojnë punëve, nuk ka politika punësimi. Ata që shihni duke rrezikuar jetën për ta kaluar kanalin e La Manshit janë të rinj si unë, që nuk ia dalin dot më në vendin e tyre. Bashkoju protestës së 12 nëntorit! Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Medea Shullazi, 17 vjec, gjimnaziste
Tirana është ndër 10 qytetet më të ndotura në botë. Nuk duhen matje për këtë. Mushkëritë tona e provojnë përditë. Tirana është një qytet armiqësor me qytetarët  e saj, falë betonizimit dhe mungesës së hapësirave publike. Të shtunë dalim dhe bashkohemi kundër masakrës urbane, kundër rrethmit të qytetit nga betonieret, skelat, betoni dhe babëzia e parasë ilegale. Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Kjara Mamushi, studente, 20 vjeç
Tarifat e larta të arsimimit, kushtet e studentëve, jashtë cdo standardi europian, rrogat e mësimdhënësve më të ulëta në rajon, siç e patë edhe nga greva e pedagogëve, na detyrojnë ne studentëve të Shqipërisë ta kthejmë kokën nga rrugët e ikjes. Një vendi që i largohet rinia, i vdes shpresa. Shihemi në shesh të shtunën, për tu bërë me dije pushtetarëve se rinia ngrihet, dhe nuk pajtohet me rrezikun që i kanoset vendit. Ne i dalim zot Shqipërisë.


Unë jam Reiner Broqaj, 23 vjeç nga Malësia e Madhe, student në Tiranë. Vij nga një zonë ku ka pllakosur ikja, që po shpopullohet. Nëse nuk ngrihemi për të ndryshuar gjendjen Shqipëria mund të kthehet në një plantacion për drogat, gjuetinë dhe sheshpushim të oligarkëve, qeveritarëve dhe pasanikëve të huaj. Të shtunën ngrihemi në këmbë për të thënë se vendin e përbashkët nuk mund ta lëmë në dorë të një grushti grabitësish.

Ndërkohë, Syri Televizion pyeti qytetarë të ndryshëm, kryesisht pensionistë në disa qytete të vendit, të cilët edhe pse në moshë të madhe, kanë shprehur dëshirën për të protestuar për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike, mungesës së rritjes së pensioneve dhe shpopullimit të vendit. 

Ja si shprehen disa nga qytetarët për Syri Tv:

"Mendojmë që duhet të marrim pjesë. Probleme ka sa të duash, që nga punësimi, rrogat, gjendja ekonomike, largimi i të rinjve. Ngeli Shqipëria bosh", shprehet një qytetar i moshuar. 

"As që diskutohet që do të shkoj, vetë i 7 jam. Për 9 vjet, 8 mijë lekë më ka rritur KEMP-in". 

"Për pensionet, për të gjitha, për çmimet. Çmimet janë shumë të larta. Ne nuk na del pensioni. Na e dha 30 mijë lekëshin dhe na e hoqi prap". 

"Vetëm për kushtet ekonomike. Ekonomia po shkon gjithnjë e më poshtë. Pensionistët kanë vdekur të tërë". 

Protesta Kombëtare e thirrur nga opozita e bashkuar do të mbahet ditën e shtunë në datrë 12 nëntor në orën 16:00 në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.