Kriza energjetike në Gjermani: Tendencë në rritje e sobave me dru për të kursyer gazin

Pas më shumë se 30 vitesh në shtëpinë e tyre në periferi të Mynihut, një çift pensionistësh ka vendosur të vendosë një sobë me dru nga frika e mungesës së gazit dhe rritjes së çmimit të gazit.

Para krizës energjetike, familja Möller paguante rreth 800 euro në vit për gaz. Këtë vit, përkundër sistemit të tyre të ri të ngrohjes, konsumi i tyre llogaritet të jetë afër 2300 euro.

"E vetmja mënyrë për të kursyer para është të reduktojmë konsumin. Ne po e ulim temperaturën e ngrohjes deri në 19 gradë," tha Gerd Möller, një pensionist gjerman.

"Ne kemi ulur gjithashtu temperaturën e ujit të nxehtë në 45 gradë. Ne mendojmë se kjo do të na kursejë në fund shumë para. Ne do ta fikim ngrohjen në mbrëmje -- ndoshta edhe plotësisht. Do të shohim, duhet ta provojmë së pari”, tha ai për Euroneës.

Edhe pse druri është më i lirë se gazi apo energjia elektrike, çmimet për të janë dyfishuar. Por djali i çiftit në pension ka një pyll të vogël ku mund të marrin dru falas.

Möllers duan të ulin konsumin e tyre të gazit me 20 për qind. Një nga zgjidhjet e tyre përfshin arratisjen diku ku është më ngrohtë këtë dimër. "Ne kemi vendosur të fluturojmë  për në Tajlandë për tre javë këtë dimër dhe kështu apartamenti do të jetë pa ngrohje. Tre javë do të na kursejnë para duke qëndruar në Tajlandë," tha Gerd Möller.

Aktualisht ka më shumë se 11 milionë soba me dru në Gjermani, një trend i kritikuar nga organizatat mjedisore. Agjencia Federale Gjermane e Mjedisit paralajmëron se emetimet e CO₂ janë edhe më të larta për djegien e drurit sesa për lëndët djegëse fosile si qymyri ose gazi.