SYRI TV/ 53% e fuqisë punëtore drejt largimit: sondazhi i EPPC, pyeten 1400 punonjës

53% e  fuqisë punëtore në Shqipëri janë në kërkim të një pune jashtë shtetit, dhe shkak kryesor për këtë është paga. Sipas sondazhit të kompanisë Ep & Partners Consultancy, nga 1400 punojës të anketuar, më shumë se gjysma e tyre duan të ikin nga Shqipëria, ndërsa 25 %  mendojnë që largimin ta bëjnë që brenda vitit.

Nga SYRI TV

Mungesa e kushteve të punës dhe pagat e ulëta po detyrojnë fuqinë punëtore të drejtojnë sytë në vende të rajonit dhe Evropës për një jetë më të mirë.

Shifrat e punonjësve që zgjedhin largimin kanë kapur 53%, ndërsa  25%  e tyre planifikojnë të ikin brenda vitit. 

Sipas sondazhit të fundit që bëri kompania Ep & Partners Consultancy (EPPC) në rreth 1400 punonjës,  më shumë se gjysma e tyre po marrin në konsideratë të kërkojnë një punë të re, në një shtet tjetër gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Ndër arsyet e kryesore të largimit të punonjësve mbizotërojnë ikja për një të ardhme dhe një shkollim më të mirë për fëmijët, pagat më të larta, ikja për një jetë më cilësore dhe një zhvillim më i mirë personal.

Anketa tregon se tregu i punës në Shqipëri është përfshirë në tranzicion nga niveli i pakënaqësisë.

Motivacionet që i shtyjnë punonjësit për të kërkuar punë të re janë të ngjashme nga viti në vit, por gjithsesi në vitin 2022 vihet re një përforcim i peshës që zë paga në këtë vendim, si dhe peshës në rritje që ka kultura e punës në një kompani dhe balanca mes punës dhe jetës private.

Paga është arsyeja kryesore për të kërkuar punë të re dhe ka peshë të ngjashme në Shqipëri dhe Kosovë.

 Lidhur me këto gjetje të sondazhit, ka reaguar edhe kreu i PL, Ilir Meta,  i cili bën përgjegjës kryesor për këtë situatë, Edi Ramën. 

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se konfliktet dhe përjashtimet e thella sociale po i detyrojnë shqiptarët të rrezikojnë edhe jetën e tyre duke kaluar La Manshin me gomone në Britani.

Ai i dha dhe një mesazh, kreut të qeverisë: “Shkak kryesor sipas vetë të anketuarve është keqqeverisja dhe vrasja e shpresës nga Rilindja. Nesër zëri i zemërimit mbarëpopullor do të buçasë në sheshet e Tiranës që Edi Rama ta dëgjojë qartë se ora e llogaridhënies për të po afron!”