SYRI TV/ PS kalon e vetme ligjin për Vettingun në polici, debate të forta në Komisionin e Sigurisë

Maxhoranca socialiste kaloi e vetme në Komisionin e Sigurisë projektligjin për Vettingun në polici, që i hap rrugë AMP-së për të kaluar në “sitë”, drejtuesit  e policisë.  Mbledhja u shoqërua me debate të forta midis ligjvënësve socialistë dhe të opozitës. Demokrati Ervin Salianji deklaroi se Ardi Veliu nuk mund ta bëje Vettingun e policëve, pasi është i lidhur me krimin. Ai hodhi akuza se uniformat blu po përdoren për kapjen e zgjedhjeve

Nga SYRI TV

Projektligji  i Vettingut në polici përplasi këtë të premte, maxhorancën me opozitën në Komisionin e Sigurisë. Deputeti demokrat Ervin Salianji akuzoi qeverinë se po përdor Policinë e Shtetit për efekt të zgjedhjeve lokale, ndërsa theksoi se  Vettingu në polici ka dështuar. Akuza të forta Salianji drejtoi edhe ndaj kreut të AMP-së, Ardi Veliut, që sipas tij  ka lidhje me bandat dhe krimin.

Pavarësisht debateve dhe kundërshtive, maxhoranca kaloi e vetme në Komisionin e Sigurisë, projektligjin që i hap rrugë AMP-së të bëjë Vettingun në polici.

Përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të pranishëm në mbledhje propozuan ndryshimin e ligjit nr.12/2018, ku në sitë të  mos jenë 1500 efektive, por 300, përfshirë drejtuesit e Policisë së Shtetit, shefat e komisariateve e të departamenteve të ndryshme, me argumentin se sjell vonesa në Vetting. Ky ndryshim u pranua nga maxhoranca dhe  projektligji në tërësi do t’i kalojë tashmë Kuvendit.