Gjykata ruse urdhëron paraburgim dhe pastaj dëbim të amerikanes që plagosi të dashurin

Ryazan, Rusi – Një gjykatë ruse të enjten urdhëroi që shtetasja amerikane Sarah Krivanek të mbahej në paraburgim për 30 ditë përpara se të dëbohej për në Shtetet e Bashkuara në një rast ku ajo u burgos për gati 11 muaj me akuzën e sulmit ndaj partnerit të saj.

Vendimi u mor në një seancë dëgjimore në qytetin e Ryazanit, ku Sarah Krivanek u ankua se kishte duruar kushte "ferri" në një institucion penal të ngjashëm me llojin e kolonisë së burgut në të cilin aktualisht po transferohet ylli i basketbollit amerikan, Brittney Griner.

Ish-mësuesja e anglishtes u akuzua për sulm vitin e kaluar, sulm me thikë ndaj të dashurit të saj gjatë një sherri në familje, ku ai mori lëndime të lehta në fytyrë. Një aktiviste e të drejtave të njeriut e përfshirë në këtë rast tha se ajo veproi në vetëmbrojtje.

Më pas, ajo u ndalua në aeroportin Sheremetevo të Moskës më 15 dhjetor, kur u përpoq të hipte në një avion për në Atlanta, duke shkelur një urdhër parandalues ​​që e ndalonte të largohej nga Rusia për shkak të rastit të sulmit.

Në seancën dëgjimore të së enjtes, ajo tha se "iu trondit bota" kur u vendos në një koloni penale ku e vunë në punë për të bërë lule artificiale për varrezat dhe funeralet.

"Kolonia ime ishte vërtet si ferr... Më detyruan të punoja," tha ajo, duke u ankuar se nuk kishte pasur trajtim mjekësor përveç tabletave për dhimbje koke.

"Kjo lloj pune është si skllavëri," tha ajo. “Paga ëhstë një tallje. Mund të fitosh vetëm 3 dollarë në muaj sa për një pako cigare.”

Kurse avokatët e kampiones së medaljes së artë olimpike, Griner, që u dënua nga një gjykatë ruse në gusht me nëntë vjet burg  për kontrabandë dhe posedim droge, thonë se ajo u dërgua më 4 nëntor nga një qendër paraburgimi pranë Moskës për në një koloni penale në një vend që nuk u tregua.

Uashingtoni po kërkon të negociojë lirimin e Griner në një shkëmbim të të burgosurve. “Synimi im është ta kthej në shtëpi”, u tha gazetarëve të mërkurën presidenti Joe Biden.

Në një bisedë telefonike me një gazetar të Reuters në prag të seancës dëgjimore, amerikania Krivanek tha se donte të ikte vetë nga Rusia në Shtetet e Bashkuara dhe nuk donte të priste që të dëbohej me forcë.

Por ajo tha se nuk kishte para për të blerë biletën e avionit dhe një mike e saj nga Kalifornia po përpiqej të organizonte një fushatë financimi për të mbledhur para për t’ia blerë atë.