Anija e shpëtimit me emigrantë mbërrin në Francë pas refuzimit nga Italia, nis debati midis dy shteteve

Franca e paralajmëroi Italinë për "pasoja të rënda" përpara se një anije shpëtimi të ankorohej në portin Toulon të premten.

Anijes së organizatës bamirëse, me më shumë se 200 emigrantë të shpëtuar në Mesdhe, iu refuzua hyrja nga Roma.

Anija “Ocean Viking” fillimisht kishte kërkuar hyrje në bregdetin e Italisë, që është më afër vendit ku u morën emigrantët, duke thënë se kushtet shëndetësore dhe sanitare në bord po përkeqësoheshin me shpejtësi.

Italia refuzoi, duke thënë se kombet e tjera duhet të mbajnë më shumë mbi barrën e pranimit të mijëra emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Evropë nga Afrika e Veriut çdo vit.

Kryeministrja Giorgia Meloni, kryetare e qeverisë më të djathtë të Italisë në dekada, tani duket i gatshme ta nxjerrë mosmarrëveshjen në krye të agjendës evropiane.

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin e kritikoi qëndrimin e Italisë si "të pakuptueshëm", duke thënë se “Ocean Viking”ndodhet pa asnjë dyshim në zonën e kërkimit dhe shpëtimit të Italisë".

Ai kritikoi autoritetet italiane se "i kanë lënë emigrantët të presin në det për 15 ditë".

Më vonë të enjten, qeveria italiane përdori gjithashtu të njëjtën fjalë - "e pakuptueshme" - për të përshkruar përgjigjen e Francës ndaj lejimit të një anijeje emigrantësh të zbarkonte në një port francez.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, tha se kërkesa kishte qenë për "234 emigrantë, kur Italia ka marrë 90,000 vetëm këtë vit".

Pasi u refuzuan dhjetëra kërkesa për t'u ankoruar, organizata bamirëse që operonte anijen “SOS Mediterranee” iu drejtua Francës për ndihmë, megjithatë, nuk pati një përgjigje të menjëhershme zyrtare nga qeveria.

Franca tha se do të evakuojë tre emigrantë që kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor, me një helikopter që i çoi ata dhe një kujdestar në një spital në Korsikë.

Darmanin tha se 230 emigrantët e mbetur në anije, përfshirë 57 fëmijë, do të mirëpriteshin në portin ushtarak të Toulon të premten, një vendim "i jashtëzakonshëm" që nuk do të ishte drejtues për veprimet e ardhshme.

Nëntë vende evropiane janë zotuar të presin dy të tretat e emigrantëve, tha ai të enjten, ndërsa pjesa e tretë e mbetur do të qëndrojë në Francë.

Gjermania do të marrë "më shumë se 80", ndërsa Kroacia, Rumania, Bullgaria, Lituania, Malta, Portugalia, Luksemburgu dhe Irlanda do të kontribuojnë gjithashtu në emër të "solidaritetit evropian", shtoi ai.

 

Si hakmarrje, Franca ka pezulluar një plan për të marrë 3,500 refugjatë aktualisht në Itali, pjesë e një marrëveshjeje evropiane për ndarjen e barrës, dhe i kërkoi Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së të bëjnë të njëjtën gjë.

"Do të ketë pasoja jashtëzakonisht të rënda për marrëdhëniet dypalëshe dhe marrëdhëniet evropiane," paralajmëroi Darmanin, duke shtuar se policia franceze do të përforcojë gjithashtu kontrollet në pikat kufitare italiane.

Ndezja e tensioneve i bën jehonë mosmarrëveshjeve evropiane të emigrantëve katër vjet më parë, kur presidenti francez Emmanuel Macron në veçanti u përplas me Ministrin e Brendshëm populist të Italisë, Matteo Salvini.

Salvini, i cili së fundmi u kthye në qeveri si zëvendës i Melonit, iu përgjigj vendimit të Francës për të ndalur marrëveshjen e ndarjes së emigrantëve me postimin sarkastik në Tëitter: "Solidariteti evropian".

Franca kishte këmbëngulur që sipas ligjit ndërkombëtar detar, Roma duhej të pranonte anijen me 234 imigrantët e dëshpëruar që shpëtoi, jo më pak pasi u dha akses këtë javë tre anijeve të tjera të shpëtimit me rreth 700 njerëz.

Por Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha këtë javë se ai po u dërgonte një sinjal kombeve të BE-së se ata duhet të luajnë një rol edhe më të madh.

Roma dëshiron "një marrëveshje për të vendosur, në bazë të popullsisë, se si migrantët me të drejtë azili zhvendosen në vende të ndryshme", tha Tajani përpara një takimi të ministrave të BE javën e ardhshme.

Në qershor, rreth një duzinë vendesh të BE-së, përfshirë Francën, ranë dakord të pranonin emigrantët që mbërrijnë në Itali dhe pika të tjera kryesore hyrëse.

Deri më tani këtë vit, 164 azilkërkues janë zhvendosur nga Italia në vendet e tjera të bllokut që kanë dalë vullnetarë për t'i pranuar ata.

Por kjo është një pjesë e vogël e 88,000 të tjerëve që kanë arritur në brigjet e saj deri më tani këtë vit, rreth 14 për qind e kësaj shifre u shpëtuan nga anijet e OJQ-ve, sipas autoriteteve italiane.