Berisha: Nesër kulmon zemërimi, padurimi dhe revolta e qytetarëve

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi sot se të shtunën do të kulmojë zemërimi i qytetarëve shqiptarë.

“Zemërimi, revolta, padurimi i qytetarëve shqiptarë po kulmon, po rritet çdo orë dhe me padurimin më të madh po presin protestën e nesërme në ora katër të pasdites si një ngadhënjim të plotë të popullit opozitar, si një dëshmi përfundimtare e vendimit të këtij populli për të mos pranuar kurrë më, armikun e egër të votës së tyre të lirë, të sillet siç është sjellë me ta.

Për të mos pranuar kurrë më, një kryehajdut të të gjitha kohërave, për t’i vjedhur, për t’i varfëruar, për t’i mjeruar ata.

Për të mos pranuar kurrë më tej, një armik të qenies së tyre, që po i përzë, po i dëbon, çdo ditë nga Shqipëria. Që ka shndërruar dheun e tyre në një dhe, në të cilin shqiptarët nuk besojnë.

Që eksporton çdo ditë, nga ky vend, më shumë se çdo gjë tjetër, krim, drogë dhe drogë dhe krim. Që dhunon masivisht të drejtat e shqiptarëve.

Një armik i egër i opozitës, pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i papajtueshëm me opozitën. Shqiptarët e shohin se çfarë fjalori të ulët prej halabaku ordiner përdor ky njeri për opozitën.

Shqiptarët konstatojnë se i mbrujtur me edukatën e babait-xhelat, trashëgiminë e dajës-xhelat, ky ka për kundërshtarin, psikologjinë e xhelatit.

Të gjitha këto janë temat e protestës,” tha Berisha.