Rusia njofton se të gjitha trupat e saj u larguan nga qyteti në jug të Ukrainës

Mykolaiv, Ukrainë  - Ministria ruse e Mbrojtjes tha të premten se e përfundoi tërheqjen e trupave të saj nga bregu perëndimor i lumit Dnieper në rajonin Kherson në jug të Ukrainës, një tërheqje që shënon një tjetër pengesë poshtëruese për Moskën në luftën e saj në Ukrainë.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë shtetërore të lajmeve të Rusisë, ministria tha se tërheqja u përfundua në orën 5 të mëngjesit të së premtes dhe asnjë njësi e vetme e pajisjeve ushtarake nuk mbeti pas.

Zonat nga u nisën trupat ruse përfshinin edhe qytetin e Khersonit, i vetmi kryeqytet rajonal që Moska kapi gjatë pushtimit të saj prej 8 muajsh e gjysmë të Ukrainës.

Kremlini mbeti sfidues të premten, duke këmbëngulur se tërheqja nuk tregonte në asnjë mënyrë dështim, për presidentin rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Moska vazhdon ta shohë rajonin Kherson si pjesë të Rusisë.

Ai shtoi se Kremlini nuk ndjen keqardhje që festoi pak më shumë se një muaj më parë,  aneksimin e paligjshëm të Khersonit dhe të tri rajoneve të tjera të Ukrainës.

Pak para njoftimit rus, zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përshkroi situatën në rajonin Kherson si "të vështirë". Ai raportoi për bombardime ruse të disa prej fshatrave dhe qyteteve që forcat ukrainase i rimorën javët e fundit, gjatë kundërofensivës së tyre në rajonin Kherson.