Plagosja me thikë e Kokoneshit dhe shoferit të tij/ Balla: Produkt i ndasisë dhe përçarjes

Kryetari i Bashkisë Divjakë Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij, Gazment Bullari janë plagosur me thikë nga një ish-punonjës i Bashkisë Divjakë, Orgest Xhelili, i cili 7 muaj më parë është larguar nga puna. Pas konfliktit, dy të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjes ku po i nënshtrohen një ndërhyrje kirurgjikale.

Në Spitalin e Lushnjes kanë mbërritur kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, kryetarja e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa dhe kreu i Bashkisë Fier Armando Subashi.

Pas vizitës në spital, Taulant Balla ka dhënë një prononcim për mediat ku ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndë dhe shpreson që Kreu i Bashkisë së Divjakës dhe shoferi i tij të kalojnë me sukses këtë gjendje të vështirë. Balla ka deklaruar se nuk i di arsyet që kanë çuar në plagosjen e Fredi Kokoneshit dhe Gazment Bullarit, teksa ka shtuar se kjo ngjarje sipas tij është produkt i ndasisë dhe përçarjes politike. Në fund të fjalës së tij, Balla ka dhënë mesazhin se kjo urrejtje duhet të ndalet dhe i ka thënë “mjaft më vrasjes së njëri-tjetrit”.

Taulant Balla: Ngjarja është një ngjarje shumë e rëndë dhe natyrshëm shpresoj që dhe kolegu im dhe bashkëpunëtori im i ngushtë dhe punonjësi i nderuar i Bashkisë së Divjakës të ia hedhin kësaj gjendje të vështirë. Sipas mjekëve, të dy i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për të dy. Është një ngjarje tepër e rëndë që më vjen keq ta them se është produkt i kësaj ndasisë dhe përçarjes që mbillet çdo ditë dhe e dini se si mbillet kjo çdo ditë. Shpresoj se çdo qytetar shqiptar ta kuptojë që në këto kushte dhe në këto ditë të vështira lufte të jemi të bashkuar, jo të ndarë.

Pyetje: Largimi për një vend pune a e justifikon këtë ngjarje?

Taulant Balla: Ju mediat keni një huq shumë të keq dhe kur ka fatkeqësi, ju e çoni gjuhën mbrapsht. Lëreni policinë dhe drejtësinë që të bëjë punën e vet sepse t’i marrësh jetën tjetrit nuk ta justifikon për asnjë gjë. Dy persona sot luftojnë për jetën. Nuk e dimë arsyen. Unë nuk e di kush është arsyeja. Di që një i çmendur ka marrë thikën dhe ka shkuar të godasë. Burimi i kësaj ndasie dhe urrejtje duhet të ndalet, ne shqiptarët jemi pak nuk jemi shumë dhe mjaft më duke vrarë njëri-tjetrin.