Të rinjtë bëjnë thirrje për protestë: Maturantë dhe prindër na u bashkoni!

Një grup të rinjsh bënë thirrje sot nga foltorja e Partisë Demokratike për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme.

Të rinjtë u bënë thirrje sidomos bashkëmoshatarëve, por edhe prindërve, që të bashkohen me ta më 12 nëntor në orën 16:00.

MESAZHET E PLOTE

Unë jam Klea Vukaj, 17 vjeç, maturante

Mungesa e një arsimi cilësor në vendin tim, na bën mua dhe familjen, që të shtrëngohemi shpirtërisht dhe financiarisht, për të parë mundësitë e shkollimit tim jashtë. Unë, si shumë maturantë dhe prindërit e tyre, duam që vendi ynë të ketë universitete cilësore. Jemi të fundit në botë.

A nuk mjafton kjo për të dalë të shtunën në protestë. Maturantë dhe prindër na u bashkoni! Ne i dalim zot Shqipërisë.

Mateo Topuzi, 22 vjeç, student

Barra e çmimeve i rëndon të gjithë. Studentët e ndjejnë, por prindërit tanë edhe më shumë. Energjinë, naftën, produktet e shportës, i paguajmë shtrenjtë, sa më i pasuri vend në Europë. Ndërkohë rrogat e shqiptarëve janë  më të ulëtat në Ballkan. Edhe më pak se në Kosovë paguhen shqiptarët. 

A nuk mjafton kjo për të dalë në protestë? Eja edhe ti, sepse Shqipëria duhet të jetë atdheu me një qeveri që i mbron qytetarët nga krizat, jo që ua thellon ato.

Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Bledjan Lica, 22 vjeç

Punësimi është kthyer në plagë për të rinjtë si unë. Të mbarosh universitetin në Shqipëri do të thotë të përballesh me një treg pune të pamëshirshëm. Nuk ka punë, nuk ka rroga që u korrespondojnë punëve, nuk ka politika punësimi. Ata që shihni duke rrezikuar jetën për ta kaluar kanalin e La Manshit janë të rinj si unë, që nuk ia dalin dot më në vendin e tyre. Bashkoju protestës së 12 nëntorit! Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Medea Shullazi, 17 vjeç, gjimnaziste

Tirana është ndër 10 qytetet më të ndotura në botë. Nuk duhen matje për këtë. Mushkëritë tona e provojnë përditë. Tirana është një qytet armiqësor me qytetarët e saj, falë betonizimit dhe mungesës së hapësirave publike.

Të shtunë dalim dhe bashkohemi kundër masakrës urbane, kundër rrethimit të qytetit nga betonieret, skelat, betoni dhe babëzia e parasë ilegale.

Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Kjara Mamushi, studente, 20 vjeç

Tarifat e larta të arsimimit, kushtet e studentëve, jashtë cdo standardi europian, rrogat e mësimdhënësve më të ulëta në rajon, siç e patë edhe nga greva e pedagogëve, na detyrojnë ne studentëve të Shqipërisë ta kthejmë kokën nga rrugët e ikjes. Një vendi që i largohet rinia, i vdes shpresa. Shihemi në shesh të shtunën, për tu bërë me dije pushtetarëve se rinia ngrihet, dhe nuk pajtohet me rrezikun që i kanoset vendit. Ne i dalim zot Shqipërisë.

Unë jam Reiner Broqaj, 23 vjeç nga Malësia e Madhe, student në Tiranë

Vij nga një zonë ku ka pllakosur ikja, që po shpopullohet. Nëse nuk ngrihemi për të ndryshuar gjendjen Shqipëria mund të kthehet në një plantacion për drogat, gjuetinë dhe sheshpushim të oligarkëve, qeveritarëve dhe pasanikëve të huaj.

Të shtunën ngrihemi në këmbë për të thënë se vendin e përbashkët nuk mund ta lëmë në dorë të një grushti grabitësish.

Ne i dalim zot Shqipërisë.