Ramës i tolerojnë çdo fyerje, deputetët e opozitës përjashtohen

Në një proces skandaloz dhe me dy standarde, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka përjashtuar nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë të dy deputetëve demokratë, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

I mbledhur këtë të premte, Këshilli i Rregullores ka pranuar kërkesën e disa deputetëve të Partisë Socialiste për të përjashtuar deputetët e opozitës, por përkundër nuk kanë marrë asnjë masë ndaj kryeministrit Edi Rama i cili dy diytë më parë nuk la gjë pa nxjerrë nga goja e tij në Kuvend kundër kolegëve opozitarë, duke i quajtur ‘bedela’, ‘budallenj’, ‘llaxore’, ‘të pafe’.

Gjatë ditës së djeshme, përpara se të votohej për buxhetin, pati përplasje verbale mes dy deputetëve opozitarë dhe kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit i kërkoi drejtueses së Parlamentit, Lindita Nikollës të përjashtonte Palokën dhe Leskajn.

Sipas deputetëve të PS, Leskaj dhe Paloka bënë veprime të pahijshme dhe përdorën një fjalor banal gjatë procesit të votimit.

Nuk munguan dje reagimet nga Paloka dhe Leskaj, ku Paloka u shpreh se i ka kthyer Ramës një përgjigje që e meritonte, ndërsa Bujar Leskaj u shpreh se “i vetmi i dehur nga malli (droga), ishte kryeministri i vendit Edi Rama”.